Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka siguruar një milion vaksina të tjera anti-COVID, ndërsa qysh sot në Tiranë do të mbërrijnë 192 mijë doza, njofton Atsh-ja.
Në një video të publikuar nga kryeministri Rama shfaqen pamjet nga nisja e një sasie vaksinash nga Stambolli për në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sipas Kryeministrit Rama, Shqipëria ka kontraktuar për momentin gjysmë milionë doza brenda 60 ditësh.
“Kemi siguruar një milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milion doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim”, – shprehet Rama.
Kryeministri Rama zhvilloi dje e sot një vizitë zyrtare në Turqi, për të finalizuar marrëveshjen me distributorin turk për marrjen e vaksinave anti-COVID.
Ai nuk ka bërë të ditur se çfarë prodhimi janë vaksinat, por mediat në Shqipëri kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për kineze.
Më herët, Shqipëria siguroi disa mijëra doza vaksina përmes kanaleve të ndryshme.