ryeministri Edi Rama ka qenë sot në Rinas për të pritur një sasi tjetër vaksinash të Pfizer teksa ka folur për mediat për shumë çështje që kanë lidhje me vaksinimin. Ai u ndal dhe tek vaksinat ruse e kineze, duke theksuar se nuk janë konsideruar jo për cilësinë dhe sigurinë dhe as për çështje buxheti, por se sasitë dhe për ato vaksina janë të kufizuara.
“E kam ndjekur këtë diskutim dhe dua të bëj një sqarim. Askush mos të mendojë se vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh, të paraqitesh të paguash dhe t’i marrësh. Nuk është kështu. Dhe një shtet që ka deklaruar në parim marrëveshje, nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë dhe për ato vaksina janë të kufizuara. Numri i të vaksinuarve në Rusi nuk është një numër i atillë referuar popullsisë që të bëjë të besosh se sasitë janë aq të mëdha. Është çështje prodhimi. E dyta mbase është keqkuptuar apo interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate dhe nuk është adekuate ajo çka kam thënë duke theksuar atë që është thënë në krye të herës, ne nuk kemi asnjë arsye në botë, s’kemi mundësi të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizmin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim por kemi parasysh që nga njëra anë janë vaksina ende të paaprovuara në nivelin e OBSH, kjo nuk do të thotë që po i rrimë larg ngaqë janë të paaprovuara, dhe e dyta nuk mendojmë që duke qenë të linjëzuar me BE kemi ndonjë precedencë, apo prioritet në radhën shumë të gjatë për ato vaksina. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës por është një luftë politike në vetvete, jo për ne. Në gjithë planetin bëhet një luftë politike për vaksinat. Luftë politike në arenën globale dhe brenda për brenda vendeve. Është një luftë ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Pas këtyre të dyjave është dhe një luftë që varet në mënyrë të drejtpërdrejt nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një vend dhe nga raportet personale. Nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive. Nuk ka arsye objektive që të na çojë në rezultat”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër ai tha se është një fatalitet politik europian fakti që Maqedonia e Veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina dhe Rusia.
“Kjo është një situatë që mund të ishte shumë më ndryshe. Nuk jemi ne që kemi vendimmarrje. Patjetër që nuk jemi ne që mund ta rregullojmë në nivelin europian. Është një fatalitet politik europian fakti që Maqedonia e Veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina dhe Rusia në mungesë të dozave për të filluar dhe kështu mund të numëroj shumë vende të tjera, përfshirë dhe Kosovën. Sidoqoftë duke e parë gjënë në dinamikë të jeni të sigurt që ne i bëmë të gjitha lëvizjet e mundshme për të siguruar vaksinat. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme, mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe mjafton të shikojmë që të gjitha të dhënat për sigurinë e saj janë shumë pozitive. Fjalët që thuhen për vaksinën ruse janë të gjitha fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv. Shikoni vendet që janë shprehur se e kanë kthyer kokën në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë vaksinën akoma. Ne të gjitha këto analiza i bëjmë. Nuk është absolutisht një pozicion refraktar. Nuk jemi me idenë që kurrë mos u vaksinofshin, por nuk marrim vaksina të tjera përveç Pfizer-it apo ruses”, tha ai.
Rama theksoi se nuk është çështje parash. “Çmimet e vaksinave po rriten sepse kërkesa është shumë e ethshme dhe oferta është shumë e vogël, por sado të rriten çmimet e vaksinave nuk ka asnjë mundësi që të lëmë një dozë të vetme në dispozicion dhe të lëmë një shqiptar të vetëm të presë përtej asaj që kemi mundësi ta bëjmë sepse çmimi është rritur. E them këtë për njerëzit që diskutojnë se është çështje buxheti. Jo, jo, nuk janë në treg.
Nuk ka dyer të hapura që janë para nesh dhe ne nuk po kapërcejmë pragun. Për të hapur dyert për të marrë vaksinën duhet një angazhim i gjithanshëm dhe një këmbëngulje të vazhdueshme. Kam menduar që gjëja më e vështirë do ishte të gjeja fondet për rindërtimin, në krahasim për të gjetur vaksinat e nevojshme më duket sikur ka qenë një proces krejt normal. Do isha gati të kthehesha 3 herë atje dhe të mos kisha këtë barrë bashkë me kolegët sepse është realisht një çmenduri. Nuk është çështja për të gjetur fondet. Është çështja për të gjetur diçka që nuk e ka askush. Nuk ka më ajo shprehja e vjetër, njeriu bëhet ujk për njeriun është e përditshmja për të gjetur vaksinën. Shteti ujk për shtetin, njeriu ujk për njeriun. Kështu është. Është e lehtë të thuash solidariteti, barazia por në fakt jemi para faktit që nevoja është kaq e madhe dhe bëhet fjalë për një sasi të vogël, dhe një kompani e madhe ujqish”, deklaroi Rama.