Nga Kukësi, kryeministri Edi Rama kërkoi edhe njëherë mandatin e tretë, ndërsa pranoi se kanë bërë edhe gabime. Por sipas kryeministrit ata kanë punuar në këto vite më shumë se çdo qeveri tjetër.
“Kemi bërë ne patjetër gabime. Kemi të meta, dimë të kërkojmë edhe ndjesë. U kam kërkuar ndjesë kuksianëve për atë që ndodhi, pa qëllim të keq, lidhur me pagesën. Ne nuk jemi të përsosur, por dëme njerëzve, dëme vendit siç i kanë bërë ata, nuk i kemi bërë kurrë. Nuk e kam këtu vetëm për të vrarët. Sot fëmijët tanë kanë tre tekste, jo 45 alternative të shkruara nga këshilltarët e Saliut. Ashtu sikundër i kanë librat falas. Te këta që duan të vijë prap ka edhe një pjesë që nuk janë ata, por që janë ata që shfaqen njëri mbi tjetri”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë sulmoi sërish ashpër presidentin Ilir Meta, duke iu përgjigjur indirekt deklaratave të mbrëmshme të kreut të shtetit. Sipas tij presidenti është kthyer në lolo.
Kryeministri nuk u kursye edhe me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa edhe këtë herë u mundua ta trajtojë ndryshe kreun e opozitës Lulzim Bashën.
“llir Meta çfarë kërkon akoma nga Shqipëria, që nuk rri dot një ditë rehat? Nuk rri dot pa nxitur sherr. Kur zihen dy vetë fiton një i tretë. Dhe kjo është deviza e Ilir Metës. Fut në sherr dy që ti të dalësh i treti të bësh paq. E bënë kryeministër, kryeparlament dhe president 50 vjec. Natyrisht edhe unë edhe ne kemi dhënë votën. Por ishte me votat e tij në parlament Ilir Meta dhe ne nuk mund ta linim vendin pa president. Unë isha shumë i qartë se kush ishte roli i Ilir Metës edhe tek çadra. Hidh gurin dhe fshih dorën. Isha i qartë se Ilir Meta ishte vendosur për në anën tjetër. Ne i dhamë një president opozitës, por jo lolo. Fakti që u kthye në lolo nuk do të thitë se ka qenë lolo edhe në të shkuarën. Njerëzit edhe lajthisin. Por çfarë do Ilir Meta. Për cilën arsye duhet votuar më për partinë e Ilir Metës? Ta përfytyrojnë demokratët e Kukësit, janë ata që përqeshin aeroportit. Për zgjedhje kam për ti sjellë, do ju them se me PD nuk ju ndan as veja, këtë herë voton Luli, por s’merr Lulin, merr Monikën bashkë me Ilirin. Se këta demokratët ato kokrrat e partisë së tyre i hanë pa përtypur fare. Këtu është jepi votë dhe merr dy bela. Prandaj është koha që të gjithë ta mbledhin mendjen që mandati i tretë i yni i vë vulën një transformimi të pakthyeshëm. Të vijë Monika, Iliri dhe Saliu? Luli është ndryshe nga këta, por se ndaj dot se këta e tërheqin dhe e vënë para edhe si djalë të bukur. Të vinë bashkë e kuptoni çfarë ndodh me drejtësinë’”tha Rama.