Vetëm disa orë përpara ndeshjes finale me Spanjën, e vlefshme për kualifikimin nga grupet në Euro 2024, kryeministri Edi Rama ka një mesazh për djemtë e Kombëtares, por edhe tifozët kuqezi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë, vlerëson performancën e kuqezinjve në grupin e vështirë të Euro 2024, dhe shton se ndonëse misioni për të kaluar më tej është i pamundur në letër, djemtë do të japin maksimumin pasi nuk kanë asgjë për të humbur.
“Askush nuk do ta besonte me mendje, me zemër tjetër punë, që në ndeshjen e tretë të grupit në Euro 2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.
Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen.
Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur.
Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”, shkruan Rama.