Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalën në foltoren e Kuvendit gjatë seancës plenare që po zhvillohet sot, ndërkohë që jashtë po mbahet protesta e opozitës.
Rama ka ironizuar edhe me opozitën shqiptare, duke thënë se ata dolën nga Parlamenti, duke iu referuar djegies së mandateve, dhe tani duan të hyjnë brenda sërish duke shtyrë policët.
“Ikën vetë dhe tani shtyjnë policët që të futën brenda. Absurde është pse dolën? Dolën nga parlamenti pasi iu mbaruan fjalët dhe vezët dhe boja… dolën në rrugë sepse janë mësuar të fitojnë pa qenë shumicë”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar tha se socialistët në të kaluarën kanë arritur të fitojnë ndaj Partisë Demokratike që drejtohej nga Sali Berisha e Jozefina Topalli, ndërsa ka lënë të kuptohet se tashmë e kanë më të lehtë fitoren ne zgjedhje ndaj demokratëve të cilët kanë udhëheqësi të re.
“Ne mundëm Saliun në vitin 2009-n, e sigurisht edhe në 2013-n. Saliun që kishte të gjithë shtetin pas vetes. Mundëm Saliun me gjithë Jozefinë e të tjerë, e të mos mundim dot Lulin me Gaz Salianjin dhe Ervin Dumën? Kjo nuk është e mundur. Tani, ata dolën atje jashtë, me idenë se do të bënin që ndërkombëtarët të lodheshin dhe do të hidhnin vështrimin nga ta. Por më e keqja është se janë përpjekur të delegjitimojnë edhe këta të tjerët që kanë hyrë këtu për t’i zëvendësuar. Por nuk kanë për t’ia arritur të kthehen këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që çon në një pazar të kësaj natyre”, deklaroi Rama.