Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar sot në 17 prill një vizitë zyrtare në Barcelonë të Spanjës, ku është pritur nga Dhoma e Tregtisë e Katalonjës në një takim të veçantë me përfaqësues të biznesit dhe institucioneve lokale.
Gjatë takimit, Rama tha se Shqipëria ka kaluar një transformim të ndjeshëm në perceptimin ndërkombëtar, duke kaluar nga një imazh negativ i së kaluarës në një vend gjithnjë e më tërheqës për turistët dhe investitorët e huaj.
Ai nënvizoi se sot Shqipëria është bërë një nga destinacionet e preferuara të të rinjve spanjollë, të cilët po tregojnë interes të shtuar për turizmin dhe kulturën shqiptare.
Rama shton se ky zhvillim është rezultat i përmirësimit të imazhit të vendit, si dhe i rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor me Spanjën. Ai ka vlerësuar gjithashtu se marrëdhëniet shtetërore mes Shqipërisë dhe Spanjës nuk kanë qenë kurrë në një nivel më të mirë se aktualisht.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, turizmin dhe shkëmbimet kulturore. Rama thekson se ky është një moment i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për rritjen e pranisë së Shqipërisë në tregun europian.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Barcelonë, ku u pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës, e ku u ndjemë krenarë për respektin dhe interesimin për Shqipërinë, emri i së cilës kur vije në Spanjë deri jo shumë vite më parë ishte sinonim i një njolle të errët në hartën e Europës, ndërsa sot është emri i një prej destinacioneve të preferuara turistike të rinisë spanjolle, ndërkohë që marrëdheniet shtetërore me Spanjën s’kanë qenë kurrë më të mira

