Në një konferencë të jashtëzakonshme, këtë të martë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një Komiteti të Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.
“Informoj publikun lidhur me krijimin e një Komiteti të Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.
Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet e tjera të NATO-s edhe më gjerë, në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik. Energjia është e palca e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik. Ndërkohë që kërcënimi i thellimit të krizës energjetike vjen vetëm duke u rritur.
Unë kam paralajmëruar atë që po vinte, por pa më shkuar ndërmend se lëvizja e lexueshme gjeopolitike e Rusisë për të ndikuar mbi çmimet në energji dhe hidrokarbure ishte preludi i një agresioni të armatosur”.
Më tej, Rama tha se duhet të përgatitemi edhe për mungesë energjie dhe nafte. “Çmimi i brendit të naftës ka kërcyer dhe vazhdon të kërcejë me orë. Shqipëria është drejtpërdrejtë e prekur si të gjitha vendet e tjera.
Diskutimi për çmimin e naftës në Shqipëri ndikohet drejtpërdrejtë nga tregu, është i pjesshëm për shkak se nuk merret parasysh që në strukturën e çmimit ne kemi kontribute që në vendet e tjera paguhen veçmas. Shumatorja e shpenzimeve të atyre që konsumojnë naftë është njësoj. Duhet të përgatitemi psikologjikisht për situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji dhe naftë. Edhe kjo mund të vijë edhe pse është skenari më dramatik”, tha Rama.