Patozi: PD dhe LSI e dinë që është shumë e vështirë të përziesh ujin me vajin

 4,770 total views,  1 views today

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi tha se partia e tij Bindja Demokratike dhe partia e drejtuar nga Jozefina Topalli, Lëvizja për Ndryshim, do të kenë një bashkëpunim taktik paraelektoral për të ndihmuar njëra-tjetrën apo duke mos i prishur punë në disa qarqe.

Gjatë një interviste sot, Patozi tha se ai vendosi me Topallin që të dalin me lista të veçanta.

“Unë dhe Topalli jemi në komunikim. Kemi pasur takime dhe jemi përpjekur të arrijmë një rezultat. Qëllimi ynë është i përbashkët, synimet e njëjta por vendosëm që të kandidojmë me lista të veçanta. Ne kemi një marrëveshje do të kemi një bashkëpunim taktik paraelektoral, ku gjatë zgjedhjeve do të përpiqemi të mos i prishim punë njëri-tjetrit por ta mbështesim në qarqe sipas rastit”, tha Patozi.

Duke komentuar marrëveshjen paszgjedhore PD e LSI, Patozi e cilësoi si asgjë të re, teksa shtoi se mes tyre s’ka mirëbesim.

“PD-LSI nuk kanë bërë asgjë, nuk kanë sjellë asgjë të re në një histori 4-vjeçare. Në 2009 rrethanat e koalicionit ishin të tjera dhe nga kjo aleancë e bërë LSI përfitoi shumë më tepër se PD. Sot të dyja palët po thonë se janë në një marrëdhënie gati dashurore por nuk është kështu, është një marrëdhënie pa shumë mirëbesim, por publikut i serviret sikur gjithçka shkon mirë”, theksoi Patozi.

Ai shkon më tej duke theksuar se, “kur PD i thotë zgjedhësve të vet nuk bëjmë koalicion me të, dhe më pas duket se pa LSI nuk merr dot frymë, ky është një degradim shumë i madh. Koalicioni mes tyre nuk u bë i mundur dhe e vërteta është që edhe PD dhe LSI e dinë që është shumë e vështirë të përziesh ‘ujin me vajin’. Ato kanë histori të ndryshme dhe kanë target të ndryshëm elektoral dhe kjo është arsyeja që nuk mund të kishin një listë të përbashkët”, tha Patozi. 

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •