Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga çdokush.
Gjykata Kushtetuese dje i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaci në dekretin e tij për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Raportuesja e PE’së kërkon që ky vendim të respektohet dhe thotë se tash i takon Hotit ta formojë Qeverinë stabile.
“Sundimi i ligjit do të thotë se çdokush duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka alternativë tjetër. Mënyra e vetme e ndryshimit të përbërjes së Kuvendit janë zgjedhjet. Tash është përgjegjësi e Avdullah Hotit të provojë të sigurojë shumicën në Kuvend dhe të formojë në Qeveri stabile”, ka shkruar von Cramon në Twitter.
Von Cramon sot shkroi edhe se nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të këtij vendimi të gjykatës dhe se ndryshimet duhet kërkuar në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse doni ndryshime në peizazhin politik, duhet t’i kërkoni ato në zgjedhjet e ardhshme. Një reagim nga populli mund të jetë i kuptueshëm, por nuk ndihmon për të zgjidhur problemet”, ka shkruar Von Cramon.