Të armatosur deri në dhëmbë, derë më derë, në çdo cep të territoreve të zaptuara të Ukrainës.
Ka qenë kjo pasqyra e vërtetë e referendumeve të ashtuquajtura të Rusisë në katër rajone të Ukrainës, për të bërë të mundur mbledhjen e votave, të cilat sipas presidentit rus, Vladimir Putin, do të përligjnin bashkimin e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, në Federatën ruse.
Në mes të qytetit, në Kherson, ushtarët u panë me një kuti votimi në dorë, duke marrë votat e njerëzve, të cilët ndiheshin të kërcënuar.
“Është vetëm për arsye sigurie dhe për të garantuar votën e lirë të qytetarëve, shkuarja derë më derë e ushtarëve”, do të shkruanin mediat ruse pranë Kremlinit gjatë gjithë kohës.
Nga ana tjetër, një votim në qendra të posaçme, do të mbahet më datë 27 shtator, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Tass”.
Mirëpo, edhe në këto skenarë, më shumë do të shfaqet një skenar i votimit në komunitete të vogla ose derë më derë sërish, për të mbledhur atë çfarë i duhet Putinit dhe parisë së tij.
Pamja është e frikshme sipas raportimeve të pavarura të medias shtetërore britanike BBC, ku një grua ka thënë për ta se fillimisht, dy ushtarë të armatosur kanë shkuar me kutinë e votimit në shtëpinë e tyre.
Babai i saj, kishte vendos kryqin në opsionin “Jo” ndaj referendumit.
“Çfarë ndodh nëse vendosim ‘Jo”?”, kishte pyetur ajo një prej ushtarëve, duke marrë mbrapsht përgjigjen “Asgjë”!
Megjithatë, problemi më i madh sipas saj, qëndronte në faktin se votimi u krye me një fletë për familje dhe jo për person, pavarësisht se mendimet mund të jenë të ndryshme në një shtëpi.
Nga ana e Perëndimit, e gjithë kjo ngjarje në katër rajonet e uzurpruara ukrainase nuk do të merret parasysh, sipas gjithë deklaratave nga grupimi i aleancës së NATO-s apo vendeve të G7.
Por, ai po ndodh dhe ndoshta shumë shpejt, mund të vijë edhe “fjalia magjike”.
Donetsku, Luhansku, Zaporizhzhia (me centralin më të madh bërthamor në Evropë) dhe Khersoni, janë pjesë e Rusisë, mund të thotë Putini…