Qeveria gjermane ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. I pyetur nga Deutsche Welle, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese theksoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore e qytetarëve.
Giese u pyet nëse Berlini është në kontakt me protestuesit në Shqipëri, nëse është në dijeni të kërkesave të tyre dhe çfarë pret nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në raport me protestat.
Zyrtari i lartë u shpreh se autoritetet gjermane kanë marrë dijeni për zhvillimet, por theksoi se ajo është një çështje e brendshme politike.
Pyetje nga Deutsche Welle: A është qeveria gjermane në kontakt me protestues në Shqipëri? A e di Berlini çfarë kërkojnë ata? Dhe çfarë pret nga qeveria e Edi Ramës në raport me protestat?
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese: Unë i kam marrë parasysh njoftimet për këtë. Bëhet fjalë për një projekt kundër të cilit ka protesta.Sigurisht njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë. Por kjo është një çështje e brendshme politike në Shqipëri. Për këtë nuk mund të japim shumë informacion.


