Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në 25-vjetorin e Kushtetutës ka dhënë edhe një mesazh për situatën kaotike që është krijuar në Kuvend. Manja thotë se zgjidhjen e ngërçeve politike e dikton Kushtetuta dhe historia ka treguar që ata që e shmangën dështuan me sukses.
Kushtetuta e miratuar 25 vite më parë i ftoi të gjitha forcat politike të konkurrojnë për pushtet, por me ligj. Kushtetua hodhi hapa të rëndësishme duke vënë në plan të parë të drejtat dhe barazitë duke e vënë shtetin në shinat e të drejtës. Kushtetuta i dha shoqërisë shansin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, për të kaluar nga bajraktarizmi politik në demokracinë institucionale. Me këtë Kushtetutës asnjë shqiptari nuk u bëhet pyetja nga vjen, por ku dëshironi të shkoni. Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj dhe ecën e sigurt drejt integrimit euroatlantik. Me bindjen për një sistem të pavarur, me reformën në drejtësi. Gjatë këtyre viteve, përpos ndasive politike, kemi ditur të ndërtojmë edhe konsensus politik për të sjellë ndryshime të domosdoshme për vendin. Sot në kuvend kemi një situatë që ngjan me atë të viti të largët ‘98, në kohën e debatit kushtetues, Sabri Godo i bënte thirrje opozitës ti bashkoheshin diskutimit në komisionin kushtetues. Sot kthimi tek parlamentarizmi dhe debati parlamentar si zgjidhja e vetme e ngërçeve politike e dikton vetë kushtetuta. Historia politike e tranzicionit në Shqipëri ka treguar se sa herë palët politike kanë tentuar të gjejnë zgjidhje duke shmangur kushtetutën kanë dështuar me sukses.