Futbollisti holandez, Arjen Robben, njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli aktiv, duke i dhënë fund një karriere të shkëlqyer që zgjati dy dekada.
Robben konsiderohet të jetë një nga sulmuesit më të mirë të krahut të brezit të tij, ndërsa vitin e shkuar iu bashkua Groningenit pas karrierës te Chelsea, Real Madridi e Bayern Munichu.
“Unë kam vendosur ta ndali karrierën time aktive të futbollit”, tha Robben. “Ishte një vendim i vështirë”.
Ndërkohë, edhe klubi i Groningenit e konfirmoi vendimin e 37-vjeçarit.
“Të gjithë në Groningen shpresonin dhe dëshironin që Robbeni të vazhdonte edhe për një sezon tjetër, por ai ka vendosur të tërhiqet pas shumë diskutimeve”, tha klubi nëpërmjet një njoftimi.
Robben shënoi më shumë se 200 gola në nivel klubi dhe 37 për Holandën, i fundit kundër Suedisë në Amsterdam në tetor të vitit 2017. Pas debutimit të tij te Groningeni gjatë sezonit 2000/01, Robben u transferua te PSV Eindhoveni në sezonin 2002-03. Dy vjet më vonë, në vitin 2005, Robben u transferua te Chelsea dhe ndihmoi ekipin nga Londra ta fitojë titullin e kampionit në Premier League. Në vitin 2007, ai iu bashkua Real Madridit përpara se të transferohet te Bayerni në vitin 2009 ku qëndroi për një dekadë dhe luajti një rol të madh në sukseset e klubit gjerman.