Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se premtimi për zerimin e taksave për biznesin e vogël është një gënjeshtër, ndërsa shpjegoi lehtësitë që sipas tij, parashikon programi i PD-së.
“Biznesi i vogël pa taksë është një gënjeshtër e Ramës, sepse çdo biznes i vogël sot torturohet me taksa lokale. Mesatarisht biznesi i vogël, paguan sot deri në 7 herë më shumë taksa. Nesër do bëjmë që biznesi nuk do përballet më me 10 lloje inspektorësh, por do ketë detyrim vetëm 0.5% të xhiros vjetore. Biznesi më i madh ndër të vegjlit do paguajë maksimumi 700 mijë lekë të vjetra në vit. Kush i paguan rregullisht, i vendoset një pullë fiskale në hyrje të dyqanit dhe nuk do të shohë në presion tatimorësh apo inspektorësh”, u shpreh Basha në një studio televizive.
Në përgjigje të gazetarëve, Basha foli edhe për inceneratorët, duke thënë se i janë dhënë 75 milion euro për ndërtimin e inceneratorëve një kompanie krijuar 24 orë para.
Sipas Bashës, 75 milion euro të taksave të shqiptarëve iu janë dhënë kompanive që s’kanë bërë asnjë punë dhe që janë krijuar vetëm 24 orë para se të jepej tenderi.
“Nga tre të ashtuquajturit inceneratorë, dy nuk ekzistojnë fare, Tirana dhe Fieri nuk ekzistojnë”, tha ai. “Janë dy karabina ku nuk ekziston fare inceneratori. Ndërsa në Elbasan kanë vënë diçka aty që është teknologji e viteve 70 dhe bashkia socialiste e Elbasanit refuzon ta marrë në dorëzim”, tha Basha.
Sipas Bashës, 75 milionë janë paguar nga thesari i shtetit deri tani. Sipas tij, në total përllogaritet një shumë prej 400 milionë eurosh, minimalisht.