“Rrethi do zgjerohet”, Ferhati: Persona të tjerë mund të merren në përgjegjësi penale

albnews
By
3 Min Read

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati në një lidhje live me emisionin “Now” me Erla Mëhillin ka folur lidhur me zjarrin e rënë të martën në një pallat tek farmacia 10 në Tiranë. Ferhati theksoi se lidhur me ngjarjen janë vënë në pranga 4 persona ndërsa po hetohen edhe 4 persona të tjerë.

Ai ndër të tjera shtoi se numri i personave të arrestuar ose nën hetim do të shtohet gjatë hetimeve. Sipas tij çështja është që të zhvillohet një hetim i mirëfilltë i cili të shkojë deri në fund për të pare se kush ka përgjegjësi.

“Kemi patur një njoftim zyrtar nga policia e kryeqytetit, por njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës, lidhur me personat të cilët të paktën deri në këtë fazë të hetimeve janë gjetur me përgjegjësi ligjore. Sa i takon zjarrit tek pallati, tek farmacia 10, kemi katër persona të arrestuar dhe katër të tjerë që do të hetohen në gjendje të lirë.

Kemi katër persona të cilët janë vënë pranga dhe akuzohen, janë të dyshuar më saktë për veprën penale të shkatërrimit të pronës nga pakujdesia apo shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Këtu e kam fjalën për inxhinierin që ka ndjekur punimet e pallatit.

Kemi një menaxhere të marketit që ndodhet në katin e parë të këtij pallati, të arrestuar, po ashtu administratorin e pallatit, ndërkohë që në gjendje të lirë po hetohet ndërtuesi Armand Dilo, një emër i njohur.

Po ashtu kemi dhe persona të tjerë nën hetim si kompania, personi përgjegjës më sakt i kompanisë i cili ka marrë përsipër nënkontraktimin e veshjen e fasadës së jashtme të këtij objekti. Kemi patur dhe një reagim zyrtar sot nga kompania Arlis.

Kuka është përpjekur më saktë që të kalojë përgjegjësinë te kompania e cila ka marrë përsipër veshjen me fasadën e jashtme të këtij pallati duke theksuar që edhe në bazë të raportimeve që kjo kompani ka në qendrën kombëtare të biznesit e të tjerë me radhë ajo ka garantuar që kemi të bëjmë me një material antizjarr.

Por ndërkohë nga ekspertiza e deritanishme, kemi të bëjmë me një material i cili jo vetëm që nuk është antizjarr, por që është një material i cili në zhargonin e zjarrëfikëseve merr flak si pish”, tha ai.

Share This Article