Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetja Isabel Santos deklaroi sot se, Parlamenti Europian do ta mbajë fjalën e tij deri në fund, sa i përket hapjes së negociatave.
Duke folur sot në punimet e Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, ku u mbajt një seancë e posaçme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ku morën pjesë krerët e parlamenteve të të 6 vendeve si dhe raportuesit në PE për këto vende, Santos u shpreh se, “ky është një çast i rëndësishëm për sa i përket angazhimit me ju, angazhim që ne e regjistruam në rezolutën e adoptuar po këtu, para dy muajsh. Në kuadër të procesit të pranimit, PE do ta mbajë fjalën deri në fund. Është një angazhim që ne, kolegët që morën pjesë në seancë, e mbrojtëm në atë rezolutë”.
Ajo theksoi se, “është e rëndësishme që të ketë kontakt të ngushtë me të gjithë parlamentet, për të përgatitur dhe përmirësuar procesin në vende të ndryshme, sepse parlamentet, në këtë proces reformash, do të luajnë një rol kyç. Ky do të jetë roli juaj, që duhet ta mbani deri në fund”.
“Ju kërkoj vetëm një gjë: të shpresoni që situata e krijuar në fillim të tetorit të mos përsëritet më dhe ne shpresojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndjekin reformat, që janë të rëndësishme, sepse bëhen për procesin e pranimit në BE dhe jo vetëm për këtë, por sepse janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve tuaj, për funksionimin e mirë të vendeve tuaja. Nga ana jonë, ne angazhohemi ta çojmë procesin deri në fund”, tha Santos.