Tifozët anglezë me shumë mundësi do të jenë në Beograd më 9 Shtator në ndeshjen ndaj Serbisë. Edhe letonezët në Leskovac më 16 Nëntor.
Por a do të kenë të drejtë shqiptarët ta ndjekin sfidën në kryeqytetin serb më 11 Tetor?
Është kjo pyetja që shtron televizioni N1 përmes portalit të tij pasi Federata Serbe e Futbollit vendosi që sfida me kuqezinjtë do të luhet në stadiumin “Rajko Mitiç” të Beogradit.
Dhe përgjigjen duket se ia japin po vetë.
“Me shumë mundësi jo, pavarësisht se në këtë moment nuk ka ndonjë ndëshkim që t’i ndalojë tifozët shqiptarë të mos udhëtojnë në ndeshjet ku luajnë si miq”, shkruan N1.
Po ashtu theksohet edhe fakti se FIFA nuk ka marrë ndonjë vendim që e dallon sfidën Serbi-Shqipëri nga të tjerat.
“Pjesëmarrja e tifozëve serbë në ndeshjen në Tiranë fundjavën e kaluar nuk ishte e mundur si pasojë e një dënimi të vendosur ndaj federatës për skenat në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Zvicrës”, sqaron N1.
Siç shkruan media serbe, pritet që edhe dënimi i mundshëm ndaj FSHF-së për skenat me ndeshjen me Serbinë të përdoren si pretekst për të ndaluar pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë. Megjithatë deri më tani UEFA nuk është shprehur për një dënim ndaj tifozëve shqiptarë.
Stadiumi “Rajko Mitiç” njihet ndryshe si “Marakana” dhe është shtëpia e skuadrës së futbollit Crvena Zvezda (Ylli i Kuq). Kjo nuk është arena e njëjtë e sfidës që u zhvillua më 14 Tetor të vitit 2014, që u luajt në stadiumin “Partizan” të Beogradit.
Ndeshja u ndërpre pas hedhjes së flakadanëve dhe objekteve të tjera në fushë nga ana e tifozëve serbë. Në atë moment, në stadium u fut një dron që mbante një flamur me simbole patriotike shqiptare. Kjo shkaktoi hyrjen e tifozëve serbë në fushë që goditën futbollistët shqiptarë, të ndihmuar edhe nga kujdestarët e stadiumit.
Për këtë arsye, UEFA vendosi që ndeshja të fitohej nga Shqipëria në tavolinë me rezultatin 3-0