Shqipëria do të luajë në datat 7 dhe 10 shtator dy sfida vendimtare përballë Cekisë dhe Polonisë. Silvinjo ka publikuar listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për këto dy përballje, ku gjenden edhe risi si Mirlind Daku apo Arbnor Muja. Trajneri i Kombëtares shqiptare është paraqitur përpara gazetarëve në konferencë për shtyp, ku ka sqaruar zgjedhjet e tij për këto dy ndeshje.
“Në këtë moment, në grumbullimin e tretë kemi 36 lojtarë. Ky është avantazhi i të punuarit me një ekip kombëtar. Kemi dhe një listë pritjeje me 51 lojtarë. Sa i përket Abrashit, të gjithë e njohim, Jep zemrën në fushë dhe ka dhënë shumë për Shqipërinë. Është në planet tona, por në këtë ndeshje kam bërë zgjedhje të tjera. Kemi marrë Gjasulën, sepse na nevojiten centimetrat e tij. Kemi marrë edhe Roshin në vend të Mehmetit. Na nevojiten centimetrat e tij dhe eshtë një lojtar që mund të ndryshojë ritmin.
Porta? Nuk është momenti më i mirë i Strakoshës dhe Berishës. Në ndeshjet e fundit që kemi bërë kanë qenë të dy lojtarë që kanë nisur ndeshjet. Kemi besim te ta. Do i presim dhe do i përqafojmë. Kanë përvojë me Kombëtaren, një pjesë shumë e rëndësishme.
Ne jemi të ekuilibruar në reparte. Kemi më shumë centimetra. Kemi lojtarë si Veseli dhe Ajeti që kanë eksperiencë dhe u transferuan në ekipe në nivele të mira në klube. Pastaj kemi pjesën e tjetër që kanë laujtur rregullisht. Me të gjithë mbrojtësat e tjerë jemi në rregull. Do të luajmë dy ndeshje të vështira, të ndryshme. Kemi Cekinë të parë, që është mësuar të luajë në Europian. Por ne duhet të bëjmë një lojë të fortë dhe sa më mirë. Ne kemi AND-në e Shqipërisë. Nuk ka rëndësi kemi më shumë apo më pak përqindje të mbajtjes së topit, rëndësi ka rezultati. Kur them që na duheshin më shumë centimetra në fund, nuk e kam fjalën se na mjaftojnë dy pikë në këto ndeshje. Padyshim që jo. Ne kemi lojtarë të shpejtë dhe teknikisht të mirë.
I kemi parë ekipet shqiptare, Partizanin, Tiranën, Egnatian. Ka lojtarë të mirë në kampionat. Kemi një listë pritjeje me 51 lojtarë dhe ka emra nga Superiorja aty. Nuk ka rëndësi për ne nëse lojtari luan brenda apo jashtë. Dy herë që ka qenë me ne Hadroji, është një lojtar që më ka pëlqyer shumë. Është Rrapaj, Sherri, Kasa. Për momentin nuk është momenti i duhur për t’i pasur në listë, por do të ketë hapësirë në të ardhmen.
Jam i kënaqur që njerëzit në Shqipëri janë të kënaqur me ecurinë e Kombëtares, janë entuziastë dhe kanë besim. Të gjithë duan kualifikimin. Edhe ne e duam kualifikimin. Do të luajmë fortë, që kur të vijë nëntori të jemi në garë për t’u kualifikuar. Nuk ka eufori te lojtarët, ata e dinë shumë mirë që kanë dy ndeshje të rëndësishme përpara. Për të qenë në garë për t’u kualifikuar në nëntor, na duhet vazhdimësia. Llogaritë do t’i bëjmë në nëtor. Ne duhet të fitojmë, duhet të shkojmë përpara. Them gjithmonë, që nëse nuk fitojmë, të paktën të mos humbasim.
Shitja e të gjitha biletave më jep kënaqësi. Dua t’ju kujtoj që ambienti i stadiumit kundër Moldavisë ishte mjaft i mirë. Kjo më kënaqi. Do të kemi shqiptarë edhe në Pragë, ndoshta 4-5 mijë tifozë. Pastaj do të kthehemi këtu me stadiumin plot kundër Polonisë. Jemi të lumtur. Sigurisht që gara jonë duhet të vazhdojë në fushë
Daku dhe Muja? Mendoj që të dy kanë shumë mundësi për minuta. Janë dy lojtarë të fortë dhe na interesojnë shumë në këtë moment. Daku është një “9”-sh në zonë, që lufton dhe shënon. Unë kam luajtur me trajnerin e Mujës, Van Bomelin. Mendoj që e shohim Mujën si e sheh trajneri i tij. Një lojtari i mirë dhe gati për të luajtur. I kam ndjekur ndeshet e tij. Është një lojtar interesant, me një zemër të pabesueshme. Luan në të dyja fashat e fushës, në mesfushë gjithashtu. Mund të na bëjë shumë punë në këtë moment”.