Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore kundër grupit ISIS në Siri të shtunën në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e dy ushtarëve amerikanë në një sulm terrorist në pjesën qendrore të vendit të shtunën e kaluar, duke përmbushur një premtim të Presidentit Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi nëpërmjet Truth Social se ishte duke u zhvilluar “hakmarrje shumë e rëndë”, duke iu referuar operacioneve ushtarake në Siri kundër organizatës xhihadiste Shteti Islamik (ISIS), pas sulmit pothuajse një javë më parë që vrau dy anëtarë të forcave të armatosura amerikane dhe një përkthyes.
“Ne po godasim fortesa të ISIS” në territorin sirian, tha Trump, ndërsa pak kohë më parë Pentagoni njoftoi fillimin e një operacioni “masiv”.
“Në dritën e masakrës brutale nga ISIS që ka marrë jetën e Patriotëve të guximshëm amerikanë në Siri, shpirtrat e bukur të të cilëve i mirëprita përsëri në tokën amerikane në fillim të kësaj jave në një ceremoni shumë të lavdishme, po njoftoj se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime shumë serioze, siç premtova, kundër terroristëve vrasës përgjegjës për sulmin. Ne po godasim shumë fort fortesat e ISIS në Siri, një vend që është mbuluar me gjak, përballet me shumë sfida, por ka një të ardhme të ndritur nëse ISIS mposhtet. Qeveria Siriane, e udhëhequr nga një njeri që po punon shumë për t’i sjellë Madhështi Sirisë, e mbështet plotësisht këtë veprim. “Të gjithë terroristët aq të këqij sa të sulmojnë amerikanët janë të paralajmëruar – DO TË GODITENI MË FORTË SE KURRË NËSE SULMONI APO KËRCËNONI SHBA-në NË ÇDO MËNYRË”, shkroi presidenti amerikan në postimin e tij në Truth Social.
Sulmet, që përfshinin avionë luftarakë amerikanë, helikopterë dhe zjarr artilerie, shënjestruan dhjetëra objektiva të dyshuara të ISIS në zona të ndryshme të Sirisë qendrore.
Ndër objektivat ishin depo armësh dhe ndërtesa të tjera që lidhen me aktivitete operative, sipas një zyrtari amerikan që foli me New York Times .
“Forcat amerikane kanë nisur një sulm në shkallë të gjerë kundër infrastrukturës dhe objekteve të armëve të ISIS-it në Siri. Ky sulm masiv vjen pas sulmit ndaj forcave amerikane dhe atyre konvencionale në Siri më 13 dhjetor”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së në një deklaratë.
Në një video të postuar në X, ai vëren se “forcat e CENTCOM-it nisën avionë luftarakë, helikopterë sulmi dhe mjete të tjera për të kryer sulmin në shkallë të gjerë”.
