Robert Lewandowski dëshiron të largohet nga Bayern Munich. Sulmuesi polak, sipas asaj që raporton Sky Sports, do të festojë të shtunën 33 vjetorin dhe është në kërkim të një sfide të re, përpara se të mbush 35 vjeç. E megjithatë në dëshirën e qendërsulmuesit ka një pengesë, tepër të rëndësishme: klubi gjerman nuk do ta lejojë atë të largohet për më pak se 115 milionë euro.
Një shifër që natyrisht ndërlikon planet e ish-lojtarit të Borussia Dortmund, duke qenë se kontrata e tij skadon në vitin 2023. Sidoqoftë, sulmuesi nuk do të thyejë publikisht raportet me ekipin e tij aktual, ku ai ndihet mirë. Në të kaluarën, sqaron ‘As’, Lewandowski ka qenë në qendër të vëmendjes së Real Madrid që, megjithatë, tani është i përqendruar në çështjen Mbappe, një prioritet absolut për Casa Blanca.