Alpinistja Elnaz Rekabi e cila gjatë garës së saj hoqi hixhabin, është arrestuar nga shërbimi sekret iranian në Seul.
Kështu ka deklaruar faqja e lajmeve në internet “Iran Wire”, teksa shton se ajo është rrugës për në burg.
Nga ana tjetër, përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, Rekabi shkruan: “Kërkoj falje për zhurmën dhe përçarjen që kam shkaktuar. Më duhet të them se për shkak të entuziazmit tim në finalen e Kampionatit Aziatik në Korenë e Jugut, mbulesa më ra aksidentalisht për shkak të kohës së vështirë. Dhe tani, siç ishte planifikuar, jam në rrugën time për në Iran, e shoqëruar nga ekipi”.
Më herët media britanike “BBC” citoi “burime të mirëinformuara” të thonë se Elnaz Rekabit i ishte konfiskuar pasaporta dhe telefoni celular.
Kjo pasi disa miqtë të saj i thanë shërbimit persian të medias britanike “BBC”, se nuk kanë arritur ta kontaktojnë alpinisten.
Faqja e lajmeve në internet “Iran Wire” raportoi se Rekabi ishte dërguar në ambasadën iraniane në Seul për t’u siguruar që ajo mund të dërgohej në shtëpi me një kontroll minimal.
“Iran Wire”, një uebsajt i vogël kundër regjimit, citoi një burim të thoshte se Rekabi do të kthehej në Teheran të martën – një ditë më herët se sa ishte planifikuar – për të penguar protestat e mundshme në aeroportin ndërkombëtar Imam Khomeini.
Në një postim në Twitter të martën, ambasada iraniane në Seul tha se Rekabi “u nis nga Seuli në Iran, herët në mëngjes të 18 tetorit 2022, së bashku me anëtarët e tjerë të ekipit”.
“Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Korenë e Jugut mohon fuqishëm të gjitha lajmet e rreme, dhe dezinformatat në lidhje me Elnaz REKABI”, thuhet në deklaratë.
Irani është kapluar nga protesta vdekjeprurëse pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgimin e policisë muajin e kaluar. 22-vjeçarja ishte arrestuar nga “policia e moralit” e vendit për mosmbajtjen e duhur të hixhabit.
Disa protestuese femra kanë djegur hixhabet e tyre dhe kanë prerë flokët, ndërsa turmat kanë brohoritur “zan, zendegi, azadi” (“grua, jetë, liri”).
Vitin e kaluar, Rekabi u bë gruaja e parë iraniane që fitoi një medalje në kampionatin botëror të ngjitjeve sportive. Ajo doli e katërta në eventin e fundjavës së kaluar në Korenë e Jugut. Një videoklip e tregoi atë duke u ngjitur në një mur me flokët e lidhur prapa në një bisht gjatë ngjarjes.