Trupat izraelite kanë filluar të tërhiqen nga qyteti i Jeninit në Bregun Perëndimor pas një operacioni dy-ditor që la të vdekur 13 palestinezë.
Avionët izraelitë nisën sulmet në vendet e militantëve në territorin bregdetar palestinez ditë më parë.
Mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe ndërtesat dhe rrugët u shkatërruan në qytetin palestinez Jenin. Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se një nga ushtarët e saj u vra në luftime të martën vonë, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Izraeli tha se operacioni i tij kishte për qëllim shkatërrimin dhe konfiskimin e armëve ndërsa goditi një kamp refugjatësh Jenin, i njohur si bastion i militantëve palestinezë, dy ditë më parë, sipas Sky News.
Zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë se 13 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën gjatë operacionit dyditor.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se militantët në Rripin e Gazës hodhën pesë raketa në Izrael. Ushtria tha se të gjitha raketat u kapën, por lëshimet rritën rrezikun e luftimeve në një front të dytë.
Zhvillimet erdhën disa orë pasi një militant i Hamasit përplasi makinën e tij në një stacion autobusi të mbushur me njerëz në Tel Aviv dhe filloi të godiste me thikë njerëz, duke plagosur tetë, përfshirë një grua shtatzënë që thuhet se humbi fëmijën e saj.
Sulmuesi u vra nga një kalimtar i armatosur ndërsa në një njoftim Hamasi tha se sulmi ishte hakmarrje për ofensivën izraelite.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tregoi se operacioni në Bregun Perëndimor, një nga më intensivët në territor në gati dy dekada, po i afrohej fundit. Megjithatë ai u zotua të kryejë ofensiva të ngjashme në të ardhmen.
Më shumë se 140 palestinezë janë vrarë këtë vit në Bregun Perëndimor.