Një shpërndarës droge për një bandë shqiptare u arrestua pasi u kap me një sasi kokaine me vlerë mbi 40 mijë paundë në qendër të qytetit të Brighton në Angli.
Albert Nedelcu nga Rumania u ndal nga policia pasi këta të fundit e pikasën të riun duke këmbyer ngarkesën e kokainës me një çantë me rreth 25 mijë paundë në Church Road, Hove.
Ai ishte mes katër personave të tjerë të dënuar të hënën për përfshirje në një bandë shqiptare në qytet. Një prej tyre ishte dëbuar dy herë nga Britania e Madhe.
Në total, 42,000 £ kokainë u sekuestrua, si dhe 30,000 £ cash, pasi policia bastisi dy banesa në Palmeira Avenue Mansions në Brighton.
Nedelcu kishte shkëmbyer kokainën me shqiptarin Andi Dema, 35 vjeç, i cili më herët ishte dëbuar dy herë nga Britania në 2021 dhe 2016, por sipas avokatëve të tij ai u vu nën “presion të nga njerëzit në Shqipëri për t’u kthyer” për të paguar borxhet e tij.
Dema tha se kishte rreth 80 mijë paund borxh ndaj disa njerëzve në Shqipëri, ndërsa para gjykatës u tha se ai u përfshi në tregtimin e drogës tre vjet më parë për shkak të borxheve që grumbulloi.
“Atij iu tha se e vetmja mënyrë se si mund të rriste shumën e fituar (për të shlyer borxhin e tij) ishte duke shpërndarë drogë. Ai është i shqetësuar për sigurinë e tij, djalin dhe gruan e tij nëntë vjeçare”, tha avokati i tij.
Një pjesëtar tjetër i bandës, Ridison Nega, 25 vjeç, u pa gjithashtu gjatë shkëmbimit të kokainës me paratë, ndërsa raportohet se ishte ai që vuri re se policia kishte pikasur pjesëtarët e bandës, ndaj edhe kishte hedhur mjetin e tij të identifikimit në kosh.
Një tjetër i ri shqiptar përfundoi në pranga, pasi ai u kap gjatë një prej kontrolleve të ushtruara nga efektivët e policisë në një nga banesat në Palmeira Avenue Mansions.
Mësohet se avokati i 20-vjeçarit Xhenaro Shehu i tha gjykatës se i riu kishte mbërritur në Britani për të ndihmuar familjen e tij në Shqipëri.
Dema, i cili kishte dy dënime të mëparshme për drogë, u dënua me pesë vjet e gjysmë burg, Nega, dhe Nedelcu u dënuan të dy me katër vjet e gjysmë, ndërsa Shehu u dënua me dy vjet e katër muaj burg.