Gjermania dhe Irlanda: Britania po shkel një marrëveshje ndërkombëtare lidhur me Brexit

 204 total views,  1 views today

Gjermania dhe Irlanda kanë dënuar lëvizjen e qeverisë së Britanisë së Madhe për rishkrimin e njëanshëm të disa pjesëve të marrëveshjes së Brexit-it të arritur me Bashkimin Evropian.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe homologu i saj irlandez Simon Coveney thanë se nuk ka “asnjë justifikim ligjor apo politik” për anashkalimin e rregullave të dakorduara tregtare në Irlandën e Veriut.

Duke shkruar në gazetën britanike “The Observer” të dielën, ministrat thanë se Britania po shkel një marrëveshje ndërkombëtare e cila u nënshkrua vetëm dy vite më parë, ndaj së cilës nuk u angazhua me “qëllim të mirë”.

Protokolli i ashtuquajtur i Irlandës së Veriut brenda marrëveshjes mban kufi të hapur me Irlandën anëtare të BE-së dhe pa poste doganore.

Administrata e kryeministrit britanik, Boris Johnson dëshiron të heqë kontrollet për mallrat si mishi dhe vezët që mbërrijnë në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Britanisë të cilat mbrojnë tregun e vetëm të BE-së.

Deputetët në Londër miratuan legjislacionin që lejon lëvizjen në fjalë javën e kaluar.

Kritikët, kundërshtarët e Johnsonit dhe disa anëtarë të partisë së tij, së bashku me vëzhguesit evropianë, kanë thënë se plani shkel ligjin ndërkombëtar. Qeveria argumenton se është e justifikuar për shkak të “situatës jashtëzakonisht të rënduar”.

Baerbock dhe Coveney thanë se ligji nuk do të rregullonte “sfidat” rreth protokollit.

“Në vend të kësaj, do të krijojë pasiguri të reja dhe do ta bëjë më sfidues gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme”, shkruan ata.

Ministrat e Jashtëm argumentuan se masa rrezikon paqen në Irlandën e Veriut nën Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, e cila i dha fund dhunës sektare disa dekadashe sektare të pranishme që nga viti 1998.

Qeveria e Johnsonit shpreson të miratojë legjislacionin, i cili do të debatohet përsëri në Parlament më 13 korrik deri në kohën kur fillojnë pushimet verore më vonë gjatë muajit, e cila mund të bëhet ligj deri në fund të vitit 2022.

BE-ja ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Britanisë nëse ajo vazhdon, duke rritur perspektivën e një lufte tregtare midis dy partnerëve kryesorë ekonomikë.

Zëvendëskryeministri irlandez Leo Varadkar deklaroi për BBC-në të dielën se nuk ishte koha “e përshtatshme apo e duhur” për referendum rreth ribashkimit të Irlandës.

Ai tha se një referendum i tillë, i cili është paraparë sipas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë, kur shumica në Irlandën e Veriut është “për” bashkim të Irlandës, konsiderohet “i mundshëm”, për momentin do të ishte “përçarës dhe i dështuar”. Asambleja e Irlandës së Veriut, legjislatura e saj e decentralizuar, është paralizuar prej muajsh për shkak të zbatimit të protokollit, duke e lënë atë pa qeveri rajonale