Një grua e moshuar ka humbur jetën në Kuçovë si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Mësohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në lagjen “11 Janari”, në Kuçovë, ku si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën 84 vjeçarja Alije Kosova, teksa ka mbetur i plagosur rëndë bashkëshorti i saj Mustafa Kosova.
Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm dhe për pasojë ka shkaktuar dëme të mëdha në banesën e çiftit, që në ato momente ndodhej vetëm.
Është dashur ndërhyrja e njësisë speciale të zjarrfikësve dhe policisë të cilët kanë nxjerrë trupin e pajetë të të moshuarës nga rrënojat, e cila sipas të dhënave paraprake raportohet të ketë qenë e paralizuar.
Shkaqet e shpërthimit janë ende të paqarta, teksa bashkëshorti i viktimës është dërguar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.