Në tetor të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 6,0 %, në krahasim me shtatorin e po këtij viti dhe duke u ulur me 0,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit ndikimin më të madh në rritjen e eksporteve e dhanë grupet “Ushqim, pije, duhan”
me 2,7 %, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2,0%, “Makineri, paisje, pjesë
këmbimi” me 1,9 %.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve ndikim negative dhanë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5,0% dhe “tekstile dhe këpucë” me 2,1%, “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0,4%.
Sipas INSTAT, edhe importet e mallrave gjatë muajit tetor u ulën me 0,01 %, në krahasim me një vit më parë dhe u rritën me 13,1 %, në krahasim me shtatorin 2020.
Referuar të dhënave importet arritën 59 miliardë lekë. Ndërsa deficiti tregtar i këtij muaji është 33 miliardë lekë, duke u rritur me 0,8 %, krahasuar me tetor 2019 dhe 19,7 %, në krahasim me shtator 2020.
Në dhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 221 miliardë lekë dhe importet e mallrave arritën vlerën 488 miliardë lekë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 267 miliardë lekë, duke u ulur me 7,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019, bën të ditur INSTAT./ATSH/