Shqipëria dhe Kosova janë angazhuar të shtojnë numrin e përfaqësive të përbashkëta konsullore.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, që po zhvillohet në Elbasan.
Rama vlerësoi se “në vitet e fundit kemi bërë përçapje domethënëse për të linjëzuar politikat tona të jashtme dhe të sigurisë dhe tashmë kemi një kuadër ligjor solid për të forcuar bashkëpunimin tonë diplomatik dhe për të rritur numrin e përfaqësive tona të përbashkëta”.
Tani, tha Rama, jemi në kushtet kur realisht kemi një mundësi që të krijojmë më shumë hapësira që shërbimet konsullore të Shqipërisë dhe Kosovës të zhvillohen në godina të përbashkëta.
“Kjo krijon një adresë unike për gjithë qytetarët jashtë, por nga ana tjetër është racionalizim edhe i shpenzimeve, sepse në këtë mënyrë paguajmë më pak për hapësirat dhe financojmë më shumë për të zhvilluar aktivitete në funksion të mbajtjes gjallë të gjithë atyre nevojave që duhen adresuar në pjesën jashtë kufijve me diasporat tona”, tha ai.
Po ashtu, Rama tha se “jemi shumë të qartë që në të dyja anët kemi nevojë të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve dhe shtimin e ndërveprimit ekonomik e tregtar”.
“Jemi të vetëdijshëm se një pjesë e rëndësishme e kësaj lidhet me pengesa administrative që janë më shumë inerci se sa përbëjnë arsye objektive. Ndaj duhet të integrojmë plotësisht tregjet tona dhe ta bëjmë të plotë ndërveprimin mes institucioneve tona në funksion të një lirie të plotë të lëvizjes”, tha ai.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se “sot firmosim marrëveshjen për të zbatuar lehtësirat e ndërsjella për procedurat doganore dhe të kontrollit të mallrave, marrëveshje kjo që paraprihet nga nënshkrimi i 3 dokumenteve dje, që synojnë unifikimin e procedurave të kalimit doganor dhe zbatimin e procedurave të tranzitit bazuar në profilet e riskut”.
Rama theksoi se “koordinimi ngushtësisht mes nesh është themelor dhe unë besoj që këto marrëveshje do të konkretizohen në rezultate konkrete dhe në realitete krejt të reja”.