Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka kapacitete të mbajë në kushtet që duhen 250 mijë vaksina Pfizer.
Në një intervistë televizive, kryeministri Rama tha se “ne mund t’i merrnim Pfizer-it edhe më shumë se 500 mijë vaksina”.
“Të jeni të sigurt se s’jam i autorizuar të nxjerr këtu se çfarë negociatash kemi bërë dhe çfarë hapësirash kemi patur në negociata. E kam thënë që ditën e parë që ka filluar kjo histori. Kjo është një luftë ku kemi përballë një armik të padukshëm që ka ritmet e veta dhe befasitë e veta”, theksoi Rama
“Kjo është një luftë e gjatë nuk është një luftë e shkurtër dhe vendet sillen në përgjithësi duke pasur vetëdije të kapaciteteve që kanë dhe dijeve që kanë që të fitojnë luftën. Ka një strategji ka dhe një taktikë. Të shkosh të marrësh 4 milionë doza sot është në radhë të parë e panevojshme, sepse do t’i marrësh e do t’i fusësh në frigorifer. Ne kemi kapacitete sot që të mbajmë në Shqipëri 250 mijë vaksina Pfizer”, nënvizoi Rama.
Por, vijoi Kryeministri, për parapagimin dhe lidhjen me kontratë sot me vaksinën më të shtrenjtë dhe kur ti nuk ke nevojë t’i kesh të gjitha sot, është absolutisht e panevojshme.
Kryeministri Rama u shpreh se “e kam shpjeguar disa herë që ne jemi duke negociuar me Astrazeneca-n, e cila është një vaksinë disa herë më e lirë se Pfizer dhe me kushte mbajtjeje shumë më të lehta sesa të Pfizer dhe është një vaksine me një goditje”.
“Po presim vaksinën tjetër Johnson and Johnson që del së shpejti dhe ajo është me kushte më të lehta mbajtjeje dhe një goditje. Ne kemi kontakte dhe vazhdojmë komunikojmë me Moderna-n. Pse vaksina sot është kaq e çmuar dhe pse sot është gjithë kjo rendje pas vaksinës? Sepse kërkesa është marramendëse dhe oferta shumë e vogël, pasi produktiviteti i vaksinës fizike është shumë i ulët në krahasim me ofertën”, tha Rama./ATSH/