Shtetet fqinje vazhdojnë të shënojnë raste të reja me Koronavirus. Në Shqipëri shkon në 304 numri i përgjithshëm i të infektuarve, meqë në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 27 raste të reja.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli njoftoi se mosha mesatare e të prekurve është 50 vjeç. Shtoi se është në rritje edhe numri i të shëruarve.
“Lajmi i mirë është që vazhdon të shtohet numri i të shëruarve nga sëmundja COVID 19. Tashmë listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 13 të tjerë, duke çuar numrin në 89”, tha Mira Rakacolli.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një statusi në Facebook iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes meqë sipas tij, “Vendi ka hyrë në zonën e zjarrit”. Edhe gjatë kësaj fundjave, do të zbatohet ndalesa e lëvizjes deri në mëngjesin e së hënës. Në Kosovë numri i të infektuarve është 126, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike iu ka kërkuar qytetarëve t’iu përmbahen rekomandimeve, duke theksuar se në të kundërt rrezikohet përhapje komunitare e pandemisë. Ndërkohë në Serbi janë konfirmuar edhe 305 raste të reja me Koronavirus, duke e çuar në 1 476 numrin e përgjithshëm të të prekurve. Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë edhe 8 persona, duke e çuar në 39 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi në këtë shtet. Greqia vazhdon të mbetet shteti fqinj më i prekur, me 53 viktima dhe 1 544 të infektuar. Ndërsa fqinji lindor, ka shënuar edhe 20 raste të reja, mes të cilëve edhe deputetë, me çka numri i të infektuarve ka shkuar në 477. Në 24 orët e fundit Bullgaria konfirmoi edhe 2 viktima, me çka numri total i viktimave shkon në 12.