Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar alarmin lidhur me krizën demografike në vend, duke e cilësuar shpopullimin masiv si “goditjen më të rëndë ekzistenciale” që kombi shqiptar ka përjetuar ndonjëherë.
Sipas Berishës, në 10 vitet e fundit Shqipëria ka hyrë në një fazë dramatike rënieje demografike, të paprecedentë në historinë moderne të vendit. Ai theksoi se lindshmëria aktuale është e barabartë me atë të 100 viteve më parë, kur vendi kishte rreth 700 mijë banorë.
Berisha akuzoi qeverinë për atë që e quajti “gjenocid të heshtur”, duke iu referuar nenit 3 të Konventës së OKB-së, që përfshin krijimin e kushteve që detyrojnë largimin e popullsisë nga vendi i tyre.
“Kurrë nuk është regjistruar një katastrofë e tillë demografike si ajo e viteve 2014–2024. Largimet masive dhe rënia e lindjeve po e boshatisin vendin,” tha ai.
Berisha theksoi se që prej vitit 2018, numri i vdekjeve ka qenë vazhdimisht më i lartë se ai i lindjeve, një situatë që sipas tij po e çon vendin drejt pikut alarmant të humbjes së popullsisë.
Në përfundim, ai kërkoi vendosjen urgjente të një platforme kombëtare për të ndalur shpopullimin, duke paralajmëruar se pa masa të menjëhershme, Shqipëria rrezikon një “zhdukje të pashmangshme” demografike.




