Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se vendi që ai udhëheq po synon ta legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore, dhe jo për qëllime të tjera.
Rama e bëri të ditur këtë plan të Qeverisë së tij, teksa prezantoi një nismë të re “Kuvendimi popullor”, ku qytetarët do të pyeten për çështje ekonomike, politike e sociale nga viti i ardhshëm. Një ndër pyetjet që do të jetë në këtë nismë është edhe ajo se a duhet të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore.
Kryeministri i Shqipërisë u shpreh i bindur se vendi është i gatshëm ta bëjë këtë hap, por shtoi se i duhet opinioni i të gjithë shqiptarëve.
“Kultivimi dhe përpunimi i kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për qëllime të tjera, është një instrument që shumë vende po e përdorin për të fuqizuar ekonominë e tyre. Sot ka njerëz që thonë se Shqipëria nuk e ka ende kohën për të hyrë në këtë proces. Edhe unë e kam kundërshtuar. Por në këndvështrimin tim, nuk mund të presim më. Por është një vendimmarrje që na duhet më shumë sesa bindja jonë dhe duhet të kapërcejmë përtej kartonit dhe shumicës dhe të marrim një opinion shumë më të gjerë nga të gjithë shqiptarët”, deklaroi ai.