Kishte qenë një nga emrat më të shquar të historisë letrare shqipe me kontribuues prej poeti e shqipëruesi.
Autor i mbi 20 librave poetikë, Faslli Haliti ka vdekur të premten në moshën 85-vjeçare.
Të shumta kanë qenë ngushëllimet në rrjete sociale, të cilat bashkërisht kanë çmuar veçantinë e tij prej letrare.
“Një tjetër figurë e letrave shqipe u nda nga ne, në një kohë të vështirë, kur edhe lamtumirat nuk mund t’i japim ashtu si do të na e donte zemra e zakoni”, ka shkruar ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
“Faslli Haliti, poet, që fjala dhe botimi iu mohua në diktaturë, që artin e ndrydhi në punë kooperative, që dashurinë për letërsinë ua dhuroi nxënësve, edhe kur ishte në fshat, në internim, ndërroi jetë. Por na la pas poezinë dhe shpirtin e paepur”.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të Halitit.
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj”, ka shkruar Meta teksa ka evokuar edhe njohjen e tij kur kishin qenë pjesë e ish-grupit parlamentar socialist.
Edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar Halitin si një nga shkrimtarët që me pasionin e tij i dha kulturës kombëtare vlera e krijime të spikatura.
“Haliti ishte një poet origjinal dhe me origjinalitetin e tij ndihmoi në ndryshimin e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Modest dhe modern, tragjik dhe madhështor njëkohësisht, la shenja të pashlyeshme në kulturën shqiptare”, ka shkruar Ruçi.
Sipas tij, Haliti e “përktheu” në art mençurinë popullore dhe me krijimtarinë antidogmatike krijoi një kozmogoni poetike mjaft të pasur.