Shumica e 43 personave të identifikuar si të prekur me variantin Omicron të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit dhe një e treta e kanë marrë edhe dozën përforcuese.
Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA thanë se nga 43 rastet me Omicron, 34 janë persona plotësisht të vaksinuar. 14 prej tyre madje kanë marrë edhe dozë përforcuese, ndonëse pesë prej këtyre rasteve u shfaqën më pak se 14 ditë pas dozës shtesë, para se të fillojë mbrojtja e plotë.
Ndonëse shifrat janë shumë të vogla, ato e shtojnë shqetësimin se vaksinat e tanishme kundër koronavirusit mund të ofrojnë më pak mbrojtje kundër variantit të ri shumë ngjitës, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Varianti Omicron është raportuar në më shumë se 20 shtete të ShBA-së deri më tani, pasi u identifikua fillimisht në jug të Afrikës dhe në Hong Kong në fund të nëntorit.
Shumica e rasteve me Omicron në ShBA raportohet se kanë vetëm simptoma të lehta, përfshirë kollitjen dhe plogështinë. Simptoma tjera më të rralla janë vjellja, shkurtimi i frymëmarrjes ose vështirësitë në frymëmarrje, diarrea dhe humbja e aftësisë për t’i dalluar shijet ose aromat.
Rasti i parë i njohur me Omicron në Shtetet e Bashkuara u identifikua më 1 dhjetor te një person i vaksinuar plotësisht, që kishte udhëtuar nga Afrika Jugore.