Në një Evropë të lodhur nga lufta dhe të përçarë nga frika, Belgjika – një vend i vogël prej 12 milion banorësh – është shndërruar në aktorin që mund të vendosë fatin e Ukrainës.
Kryeministri i ri Bart De Wever, një figurë e mprehtë, ironike dhe nacionaliste flandeze, po bllokon planin e BE-së për të përdorur qindra miliarda euro të aseteve të ngrira ruse, të cilat ndodhen kryesisht në Euroclear në Bruksel.
Ky vendim i vetëm ka futur në kaos politikën evropiane, ka dobësuar pozicionin e Ukrainës dhe ka dërguar një sinjal mosmarrëveshjeje drejt Moskës – në një moment kur Vladimir Putin po kërkon t’i shfrytëzojë çdo çarje midis aleatëve euroatlantikë.
Darka ku u kuptua se gjithçka kishte shkuar keq
Më 23 tetor, liderët e BE-së mbërritën në Bruksel nën shi të dendur, të gatshëm t’i dhuronin Volodymyr Zelenskyt një ndihmë kolosale: një hua prej 140 miliardë eurosh, e garantuar nga asetet ruse të ngrira. Por sapo liderët u ulën për drekë, debati mori drejtim të papritur.
Kur u shërbyen langustinat (një ushqim deti i cili shihet si delikatesë në vendet evropiane), u bë e qartë se Belgjika nuk do të lejonte asgjë. De Wever e quajti planin “tërësisht të çmendur” – duke paralajmëruar se rreziku ligjor i hakmarrjes ruse ndaj Euroclear do të binte ekskluzivisht mbi Belgjikën.
Nga ajo ditë, Belgjika u kthye në barrikadën që as Ursula von der Leyen dhe as liderët më të fuqishëm të Evropës s’mund ta çanin.
Kancelari gjerman që “prishi lojën”
Burime të shumta në Bruksel tregojnë se tensionet u ndezën menjëherë sapo kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, lëshoi publikisht idenë e përdorimit të aseteve ruse – pa paralajmëruar Belgjikën.
Deklarata e tij i “trembi belgët”, të cilët ishin në negociata delikate teknike me Komisionin.
Kjo shpjegon edhe zemërimin e De Wever në samitin e tetorit, ku ai kërkoi ribërjen e konkluzioneve përfundimtare deri në mesnatë, duke hequr çdo rresht që përmendte asetet ruse.
Nga Waldorf Astoria te Euroclear – presioni amerikan
Ndërkohë, SHBA-të e Donald Trump po ushtrojnë presion tjetër nga jashtë. Trump kërkon një marrëveshje të shpejtë paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë – dhe ka sy mbi asetet e ngrira.
Sipas diplomatëve në Washington, plani fillestar amerikan parashikonte që asetet t’i ktheheshin Rusisë pas marrëveshjes së paqes dhe që SHBA-të të merrnin 50% të fitimeve nga fondi i rindërtimit të Ukrainës.
Për shumë kryeqytete evropiane, ky ishte një alarm i kuq: nëse Evropa s’vepron shpejt, Trump do të vendosë rrugën drejt paqes sipas kushteve të Putinit.
Brukseli i përçarë: kur një vend bëhet problem kontinental
Pavarësisht presionit të aleatëve:
– Zelensky po i afrohet greminës financiare,
– Rusia po intensifikon sulmet,
– Trump po i shtyn ukrainasit drejt një marrëveshjeje të disfavorshme,
– Bart De Wever vazhdon të thotë: “Jo sot, jo nesër, asnjëherë”.
Ai argumenton se Belgjika s’mund të rrezikojë stabilitetin e eurozonës, reputacionin e Euroclear, apo të përballet me një faturë prej qindra miliardësh nëse Rusia fiton në gjykatë.
Si të mos mjaftonte kjo, Belgjika ka raportuar edhe incidente dronësh të dyshuar rusë mbi bazat e saj ushtarake – një paralajmërim hibrid që vetëm e forcon pozicionin e kryeministrit.
Orban, rreziku i brendshëm dhe frika e Evropës
Një tjetër bombë me sahat është Viktor Orbán. Sanksionet që ngrijnë asetet ruse duhet të miratohen çdo gjashtë muaj.
Nëse Orbán tërhiqet, asetet mund të zhbllokohen menjëherë – duke e lënë Belgjikën të ekspozuar juridikisht.
Kjo e kthen çështjen nga një debat financiar në një krizë të thellë politike.
“Dimri është këtu” – dhe BE po vjen e përçarë
Friedrich Merz e tha të drejtpërdrejtë: “Ukraina ka nevojë urgjente për ndihmë. Sulmet ruse po rriten. Ne jemi tashmë në dimër”.
Por deri tani, as Merz, as von der Leyen, as Costa nuk kanë arritur të bindin De Wever-in.
Në vend të kësaj, Belgjika po kërkon:
– ose grante direkte nga buxhetet e shteteve (diçka që shumica e vendeve e refuzojnë),
– ose borxh të përbashkët të BE-së (diçka që Gjermania dhe të “kursimtarët” e tjerë e kundërshtojnë),
– ose një plan të tretë ende të paqartë.
Ndërsa samiti i 18 dhjetorit afrohet, pyetja është ekzistenciale: A mund të bashkohet BE-ja kur historia troket në derë?




