Pas tërmetit shkatërrues prej 7.8 ballësh të rënë në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, një kërkesë ka ardhur nga Aleppo kundrejt Qeverisë së Izraelit, për ndihmë të shpejtë humanitare, duke parë kushtet e vështira, me të cilat vendi po përballet, ku thuajse 800 persona kanë mbetur të vdekur dhe bilanci vijon të rritet.
Diçka të tillë, e ka pranuar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka dhënë dritën jeshile për të dërguar menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi dhe ndihma humanitare në Siri.
Nuk është specifikuar gjithsesi nëse kjo kërkesë siriane, ka ardhur prej palës qeveritare, apo prej grupeve opozitare separatiste.
Gjithsesi, duke qenë se ndihma është dërguar drejt Turqisë menjëherë dhe kërkesa ka qenë e tillë edhe prej palës siriane, Netanyahu, në kushtet e një katastrofe humanitare, ka vendosur t’i thotë “po” të dy kërkesave.
I pyetur se nga kush ka ardhur kërkesa, Netanyahu është përgjigjur në mënyrë neutrale: Nga sirianët.
Ndërsa, një zyrtar izraelit, specifikoi se kërkesa ishte marrë përmes “një burimi diplomatik”, pa bërë me dije emrin.
Nga Qeveria siriane, një koment mbi situatën e krijuar, ende mungon ndërkohë.
Bilanci i tërmetit
Është rritur në përmasa të mëdha bilanci i të vdekurve për shkak të tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8, i cili goditi në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, ku sipas bilanceve të deri tanishme, 1 mijë e 14 persona kanë humbur jetën në Turqi dhe 783 të tjerë në Siri.
Mbi raportin e fundit të vdekjeve nga radhët e turqve, raportoi vetë presidenti, Recep Tayyip Erdogan, i cili bëri një rezyme të zhvillimeve.
Pala siriane ndërkaq, përkatësisht ministria e Shëndetësisë, në punë së bashku me organizata të ndryshme jo-qeveritare, kanë bërë me dije se 783 persona janë vrarë dhe 639 të tjerë janë plagosur.
Në Turqi ndërkaq, mijëra persona kanë marrë lëndime.
Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.
Mes dhjetëra pasgoditjeve, një tepër e fuqishme ka goditur rreth mesditës, me një magnitudë 7.7 Rihter.
Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.
Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.
Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.
Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.
Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.
Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.
Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.
Në një mesazh të menjëhershëm pas ngjarjes, Erdogan ka premtuar ndihmë për çdo të prekur dhe ka kërkuar solidaritetin e gjithë komunitetit ndërkombëtar.
Këta të fundit janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë dërguar grupe të posaçme shpëtimi drejt Turqisë.
Të njëjtën gjë e ka bërë menjëherë edhe Shqipëria, ku përmes një postimi në Twitter, ka qenë kryeministri Edi Rama, ai i cili ka bërë me dije se një grup kërkim-shpëtimi do të asistojë homologët turq.
Lidhur me shtetasit shqiptarë, rezidentë në Turqi, sipas raportimeve nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka pasur nga ata, të prekur nga tërmeti.
Teksa, për raste emergjente në zonat ku tërmeti ka shkaktuar dëme, janë vendosur në dispozicion dy numra telefoni.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë Ankara: +90 549 5611985
Konsullata e Republikës së Shqipërisë Stamboll: +90 539 6566219