Situata në veri të Kosovës është e qetë dhe e qëndrueshme, por ende ka sfida dhe element që mund të nxitin tensione. Kështu u shpreh për agjencinë e lajmeve Kosova Press, shefi i misionit të bashkimit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë Giovanni Pietro Barbano.
“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. E shohim në mënyrë pozitive kthimin në detyrë të kryetarëve serbë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, kreu i EULEX, misionit evropian që qëllim kryesor ka monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, foli edhe për rastet e manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas Barbano, zbulimi dhe adresimi i këtyre rasteve dëshmojnë më së miri se sistemi demokratik në Kosovë është i qëndrueshëm.
“Është shumë pozitive që institucionet e Kosovës kanë qenë në gjendje t’i identifikojnë vetë mangësitë dhe t’i adresojnë ato. Kjo dëshmon se sistemi demokratik është i qëndrueshëm. Është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur, por, siç i që është zbuluar dhe po trajtohet në nivelin e duhur është një zhvillim shumë pozitiv”, tha kreu i EULEX.
Në lidhje me sistemin e drejtësisë së Kosovës, shefi i misionit evropian që qëllim ka monitorimin e këtij sistemi u shpreh se ky i fundit mbështetet në një kuadër ligjor shumë të zhvilluar që është frymëzuar nga standardet më të larta evropiane dhe perëndimore, por sipas tij, problem mbetet zbatimi i këtij kuadri që sipas tij shpeshherë rezulton sfidues për arsye strukturore, procedurale apo edhe për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme.


