Analisti i njohur nga Kosova, Nexhmedin Spahiu tha se Albin Kurti nuk duhet të tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe për të “lëshuar pe” Serbisë. I ftuar në Debat me Alba Alishani në A2 CNN, Spahiu u shpreh se “Kosova nuk mundet që në emër të paqes të dorëzohet në kthetrat e Serbisë”. Analisti vuri theksin se veriu është shumë i rëndësishëm për Kosovën, prandaj nuk duhet të hedh hapa pas.
“Kosova nuk mundet që në emër të paqes të dorëzohet sërish në kthetrat e Serbisë, ne në emër të mos shkaktimit të telasheve për shkak të Rusisë, t’i themi Serbisë hajde në Prishtinë, e kuptoni që veriu i Kosovës është pjesa më e rëndësishme, se nuk mbijeton dot pa ujin që mbijeton nga Liqeni i Gazivodës, nuk ka energji gjithë Kosova dhe as ujë dhe imagjoni një vend pa ujë dhe energji elektrike”, u shpreh Spahiu.
Ai bëri përgjegjës për situatën ku ndodhet veriu i Kosovës sot, qeverinë e Serbisë. Kjo jo për shkak të vendosjes së 4 kryetarëve shqiptar në 4 komuna, por valëvitjen e flamurit të Kosovës në këto zona.
“Përgjegjës është qeveria e Serbisë, që është e pezmatuar sepse për herë të parë në veri të Kosovës u ngrit flamuri i Kosovës, ky nuk është problemi i 4 kryetarëve, që kur të duan mund t’i shkarkojnë, se mjafton një % e vogël për t’i shkarkuar dhe këtë mund të bëjnë kur të duan, Problem është ngritja e flamurit të Kosovës, kjo tregon sovraniteti, vetëm kur kjo ka ndodhur popullata e Kosovës e ka kuptuar që jeton në Kosovë dhe jo në Serbi. Policia e Kosovës nuk vrau dhe as nuk plagosi asnjë njeri, mori në dorëzim objektet që i takojnë shtetit të Kosovës dhe bëri atë që i takonte me ligj dhe kushtetutë, Kryetarët e komunave në Serbi dhe pse u betua për besnikëri ndaj Kosovës, nuk e ngritën flamurin e Kosovës”, shtoi Spahiu.