Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e “Sterilizimit”. Sipas Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duhet të merrte masë më të rëndë sigurie nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi theksojnë se ka kryer më shumë shkelje se Klodian Rrjepaj (ish-zv.ministri i Shëndetësisë) dhe Ilir Rrapaj (biznesmen).
Në dosje thuhet se ka dyshime bazuar në prova se Beqaj përveçse ka shpërdoruar detyrën, ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Për këto të fundit, ai rrezikon deri në 7 vite burg.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190 paragrafi i tretë i Kodit Penal, ku parashikohet shprehimisht se: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, shkruhet në dosje.
Për ish-ministrin e Shëndetësisë është caktuar masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” më herët, por Gjykata në vendimin e saj shton se ai shfaq rrezikshmëri shoqërore duke u bazuar te veprat penale që ka kryer, dhe mund t’i shmanget gjykimit.
“Rëndësia e faktit” dhe “sanksionit që mundë të caktohet” parashikuar nga neni 229 i K.Pr.Penale për personin nën hetim I.B. të jetë më madhe nga ajo e vlerësuar nga prokuroria. Masat e kërkuara nga prokuroria për personin nën hetim I.B. konkretisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, Gjykata i konsideron jo proporcionale në raport me rrezikshmërinë e theksuar të faktit, pasojave që kanë ardhur në rastin konkret dhe mënyrës se si ka vepruar personi nën hetim në procedurën e konҫesionit. Roli, përgjegjësia dhe intesitetit i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim I.B. është më i madh se i personave nën hetim K. R. dhe I.R. për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Rrezikshmëria e autorit lidhet me rrezikshmërinë e veprës. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se vepra penale është kryer në rrethana rënduese sikurse është kryerja e veprës penale “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe e kryer në “bashkëpunim” parashikuar nga neni 50 gërma “dh” dhe “gj” të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e GJKKO.
GJKKO thotë se Beqaj i ka shkaktuar një dëm kolosal buxhetit të shtetit.
Pra, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje Ilir Beqaj” i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 8 697 000 000 Lekë (9 657 000 000 – 960 000 000). Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoj nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë konsto e konҫesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar.
Përpos dëmit financiar, vijon gjykata, kjo aferë lidhet direkt dhe me shëndetin e pacientëve, gjë e cila shton rrezikshmërinë e Beqajt.
“Në rastin konkret konҫesioni i është dhënë shoqërive konҫesionare, të cilat pranojnë vetë se nuk kanë kapacitete njerëzore dhe profesionale për të përmbushur Kontratën Konҫesionare. Kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorit në rastin konkret. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se personi nën hetim I.B. vijon që të ushtrojnë funksione publike dhe ekziston rreziku ai të abuzoj me detyrën sikurse në mënyrë të “hapur dhe flagrante” në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore ka vepruar në procedurën e konҫesionit. Kjo shton rrezikun e përsëritjes të të njëjtës vepër penale”.
Masat e sigurisë dhe akuzat për secilin nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë (të lëshuara më 17 Gusht të këtij viti nga GJKKO)
-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”
-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim”
-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
-Marsela Serjana: arrest shtëpie për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”
-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”
-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
Kujtojmë se ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre sa i takon koncesionit me vlerë 100 mln Euro të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale, hetimi për të cilin nisi që me krijimin e SPAK.
I akuzuar për mashtrim dhe i vënë në pranga është dhe Ilir Rrapaj, i cili zotëronte 40% të aksioneve të kompanisë që fitoi tenderin për koncesionin.
Ndërkohë, ish-ministri Ilir Beqaj për herë të parë për çështjen ka folur para hetuesve më 18 Korrik të 2022-it. Hetimet për “Sterilizimin” nisën në Dhjetor të 2019-ës.