Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë… Që nami i mirë të dalë e kurioziteti të vazhdojë ka nevojë për promovim. Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha nga mënyra e duhur e të reklamuarit. E njëjta ndodhi edhe me Shqipërinë që u reklamua si “Maldivet e Europës” apo “Perla e Mesdheut”. Por edhe “nami i mirë” i mbështetur vetëm te “promovimi duke kopjuar” nuk zgjat përgjithmonë, dhe kjo u provua veçanërisht gjatë muajve të verës.
“Pse unë duhet të promovoj Shqipërinë si Maldivet apo Tajlanda. Ne e dimë se pikërisht se Tajlanda ka promovuar identitetin e vetë. E dimë që Maldivet kanë atë rërën e bardhë etj. Në vend që ne të promovojmë Lumin e Shalës si Tajlanda apo si kjo e ajo, apo Ksamilin si Maldivet, të themi Ksamili. Që edhe njerëzit jashtë të njohin Ksamilin”, thotë Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministre.
Dikur vendi më i izoluar i Europës, në dy vitet e fundit veçanërisht, Shqipëria është kthyer në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd. Por “bumi i menjëhershëm”, në kushtet e mos-ruajtjes së vlerave identitare mund të kthehet në efekt “bumerang.”
“Ne po prishim qëndrueshmërinë. Nëse ti bën disko “pub” në Qafën e Pazarit dhe e njëjta ka ndodhur edhe në Berat apo Krujë, ne e kemi shkatërruar të ardhmen e turizmit. Ne nqa duhet të orintojmë të huajt te zonat UNESCO. UNESCO është gjë e madhe”, thotë Kliton Gërxhani, ekspert i turizmit.
Një studim i kryer nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara tregon se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e duhur në drejtim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Sipas studimit të kryer nga “Aplify”, janë një sërë çështjesh si përmirësimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, rritja e cilësisë së shërbimit, përmirësimi i transportit publik, përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve dhe shtimi i hapësirave publike që duhet të zgjidhen. “Këto gjetje ne do i çojmë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të gjetur zgjidhje në vijim”, thotë Kristel Hasani, Koordinatore Projekti, UNAS.
Sipas studimit ruajtja e burimeve natyrore, veçanërisht në zonat e mbrojtura, është thelbësore për një turizëm të qëndrueshëm. Qasja e qeverisë në planifikimin e turizmit deri më tani paraqitet e fokusuar te rritja ekonomike sesa te ruajtja e mjedisit dhe ekosistemeve, të cilat mund të shihen si të një rëndësie dytësore.