Programi bërthamor i Iranit është dëmtuar rëndë nga sulmi Amerikan i fundjavës. Këtë e mbështet drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.
Përmes një deklarate, ai thekson se agjencia e inteligjencës ka zotëruar “një sërë provash të besueshme” që tregojnë se Programi Bërthamor i Iranit është dëmtuar rëndë” nga sulmet e fundit, duke nënvizuar se një përpjekje e gjerë e komunitetit të inteligjencës është duke vazhduar për të përcaktuar ndikimin e sulmeve amerikane në tre nga centralet bërthamore të vendit të shtunën.
Pa dhënë shumë detaje, Ratcliffe tha se provat e CIA-s përfshinin “inteligjencë të re nga një burim i besueshëm, që pohon se disa objekte kryesore bërthamore iraniane u shkatërruan dhe do të duhej të rindërtoheshin me kalimin e viteve”. Nuk ishte e qartë nëse Ratcliffe po ofronte një vlerësim zyrtar të agjencisë apo pikëpamjen e tij për inteligjencën.
Deklarata erdhi një ditë pasi CNN dhe media të tjera raportuan një analizë fillestare nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, e cila sugjeroi se sulmet ajrore të SHBA-së të shtunën nuk shkatërruan disa komponentë kyç të programit bërthamor të Iranit dhe me shumë gjasa vetëm sa i penguan ambiciet bërthamore të Teheranit me disa muaj.
Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë këtë vlerësim, i cili hedh dyshime mbi pretendimet e Presidentit Donald Trump se sulmet “zhdukën” aftësinë e Iranit për të prodhuar një armë, duke e quajtur atë “të gabuar”. Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, postoi gjithashtu në X të mërkurën se “inteligjenca e re” mbështeste idenë se objektet bërthamore të Iranit u “shkatërruan” në sulme.