Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në vëmendje debatin për një mandat të tretë presidencial, pas një komenti të bërë gjatë një pritjeje në Shtëpinë e Bardhë, që u shoqërua me një ofertë financiare prej 250 milionë dollarësh nga një prej donatoreve të tij më të mëdha, Miriam Adelson.
Gjatë një aktiviteti festiv për Hanukën, ku ishte e pranishme edhe Adelson, e veja e miliarderit izraelito-amerikan Sheldon Adelson, Trump hodhi idenë e shërbimit për katër vite të tjera në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe pse një veprim i tillë do të ishte i paprecedentë dhe gjerësisht i konsideruar antikushtetues, deklarata u prit me entuziazëm nga të pranishmit, të cilët nisën të brohorasin “edhe katër vite”.
Adelson, e cila ka dhuruar mbi 100 milionë dollarë për fushatat e Trump në ciklin e fundit zgjedhor, i tha presidentit duke i folur në vesh, se do t’i jepte edhe 250 milionë dollarë të tjera nëse do të mendonte seriozisht një kandidim të tretë. Më pas Trump kthehet nga publiku dhe thotë: “Ajo tha mendoje, do të të jap edhe 250 milionë dollarë të tjera”.
Avokati i njohur Alan Dershowitz, i cili e ka mbrojtur Trump gjatë procesit të shkarkimit (impeachment) dhe ka shkruar një libër të ri mbi mundësinë ligjore të një mandati të tretë, ka pranuar se çështja nuk është plotësisht e qartë nga pikëpamja teorike, por ka shtuar se nuk beson se Trump do të kandidojë realisht.
Megjithatë, Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së është i qartë: asnjë person nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë. Vetë Trump ka pranuar më parë se Kushtetuta nuk ia lejon një mandat të tretë, duke e cilësuar këtë si “për të ardhur keq”.




