Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë me dije se mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një deklaratë, KFOR i bën thirrje palëve që të punojnë sëbashku për shtensionimin e situatës dhe të përmbahen nga veprimet provokative.
Po ashtu, KFOR thekson se do të vijojë të jetë vigjilent dhe të përmbushë mandatin e tij në Kosovë.
“KFOR- i vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mjeti i vetëm për të arritur një stabilitet të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm dhe për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ftojmë të gjitha palët që të bashkohen për shtensionimin e situatës dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që janë kundër interesit të të gjithë njerëzve në Kosovë. KFOR vazhdon të jetë vigjilent dhe krejtësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij që derivon nga rezoluta 1244 e OKB-së për të ofruar mjedis dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të mbeten shumë të tensionuara, teksa nuk është shënuar asnjë përparim në qetësimin e situatës në veri. Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell theksoi këtë të martë (27 qershor) se BE do të marrë masa ndëshkuese, politike dhe financiare, në rast se Prishtina dhe Beogradi nuk do të shënojnë përparim në dy kërkesat kryesore: Largimi i protestuesve serbë nga ndërtesat komunale në Serbi dhe pezullimi i operacioneve policore të Kosovës në ndërtesat komunale.