Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur “shumë i alarmuar” nga situata në veri të Kosovës. Në një postim në Tiwtter, Borrell dënon arrestimet e serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që i konsideron “jashtëgjyqësore”, ndërsa shton se Serbia po përdor një retorikë “të rëndë”.
Takimi i nivelit të lartë në Bruksel duket se nuk është pasuar me hapa drejt normalizimit të situatës, ndërsa për Borrell përshkallëzimi po bëhet “i rrezikshëm”.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, shkruan Borrell.
Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte (23 qershor) se ka vënë në pranga një të serb, të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Ndërsa 3 efektivët e Kosovës vijojnë të ndodhen në paraburgim në Beograd.
Borrell zhvilloi të enjten në Bruksel një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimet u zhvilluan të ndara, ndërsa në përfundim të tyre, Borrell bëri me dije se kishte kërkuar lirimin e efektivëve të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës.
Ndërkohë Kurti deklaroi se në veri mund të mbahen zgjedhje të parakohshme por që gjithçka duhet të paraprihet nga sundimi i ligjit.
Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës vijojnë që prej 26 majit, me vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptar të komunave. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.