Presidenti kosovar tha se ftesa nga SHBA-ja rrit optimizmin dhe besimin se procesi i dialogut Kosovë-Serbi do të ketë sukses
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se thirrja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për takim në Shtëpinë e Bardhë midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë më 27 qershor për të diskutuar rreth procesit të dialogut, “rrit optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses”, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi në një konferencë për media tha se institucionet e Kosovës janë përgjigjur pozitivisht në këtë thirrje dhe mirëpresin “këtë hap të rëndësishëm, vendimtar dhe shumë të drejtë të SHBA-së”.
Thaçi theksoi se takimi do të shërbejë për t’i hapur rrugë progresit, zhvillimit ekonomik dhe është jetik për mbylljen e çështjeve të hapura që pengojnë zhvillimin ekonomik e para se gjithash investimet e huaja në Kosovë.
“Ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të vetë presidentit Trump, si dhe këmbëngulësinë por dhe vizionin e ambasadorit Grenell. Kosova, gjithmonë ka besuar në SHBA-në dhe ka dalë fituese. Washintoni e ka thënë qartë dhe kjo është bërë e qartë edhe nga letrat që ka dërguar presidenti Trump, se ky proces është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë për të vazhduar angazhimet edhe në organizata ndërkombëtare, në veçanti në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, tha Thaçi.
Sot gjatë ditës në Kosovë pritet të vijë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri më 18 qershor, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e postit të tij të ri.
Lajçak, siç është paralajmëruar, “do të shfrytëzojë mundësinë për t’u njohur më mirë me situatën në terren”.
Por, presidenti Thaçi tha se “nëse Lajçak po vjen në Kosovë vetëm për të hulumtuar terrenin, Kosova është e hulumtuar tash e 20 vjet”.
“Lajçak duhet të jetë i qartë në dy gjëra. E para, për liberalizimin e vizave, çfarë qëndrimi kanë shtetet anëtare, sepse mbi të gjitha këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës, më tepër sesa ligjërata për proceset e pafundme që mund të ndodhin dhe, në anën tjetër, se si do ta trajtojë Kosovën. Nëse e trajton si shtet të pavarur dhe sovran ashtu siç është dhe e ka njohur bota demokratike, atëherë procesi do të jetë më i lehtë, nëse jo, atëherë është një mision definitivisht jo i suksesshëm nga ana e tij”, theksoi Thaçi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti u takuan dje me kërkesë të Hotit për bashkërendim të veprimeve në procesin e paralajmëruar të rifillimit të dialogut me Serbinë, ndërsa pas këtij takimi presidenti Kosova tha se i gjithë Ballkani Perëndimor ndodhet para një jave të rëndësishme në të cilën “pritet të hapen procese konkrete nga Shtetet e Bashkuara dhe ambasadori Richard Grenel dhe vizita e paralajmëruar e Miroslav Lajçak”.