Substancat vdekjeprurëse janë pjesë e luftës “të fshehtë”, në kohë paqeje dhe konfliktesh.
Kështu e nis artikullin e saj e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.
Kjo e fundit ka renditur disa pika të një “tradite” të helmimeve ruse, gjithmonë në pritje të konfirmimit – ose mohimit – për helmimin e mundshëm të delegacionit ukrainas.
Fillimisht, Corriere shkruan se shumë shërbime sekrete kanë përdorur helme për të eliminuar kundërshtarët.
Rusët, sipas saj, kanë një traditë të sulmeve të kryera me sisteme “joortodokse” (në mënyrë të pazakontë).
Inteligjenca ruse kishte ngritur “Kamera-n”, një seksion i operacioneve speciale me rol rregullator.
Kjo e fundit, do të vazhdohej më pas nga KGB-ja (Shërbimi i Sigurisë i Bashkimit Sovjetik).
Historiku
Në radhë të dytë, vëren e përditshmja italiane, në vitet ’50-të, një çift nacionalistësh të ekstremit të djathtë ukrainas, protagonistë të gjesteve të rezistencës anti-sovjetike, u eliminuan nga Moska duke përdorur këto metoda.
Corriere nënvizon sakaq se kjo histori efektive dhe “e heshtur” vazhdoi për dekada.
Që nga ish-agjenti Litvinenko i vrarë me polonium, politikani ukrainas Viktor Jushçenko i dehur me dioksinë, sulmi për të vrarë Sergei Skripal-in në Britani, episodi i një trafikanti bullgar armësh (afera mbeti e pezulluar) dhe në fund rasti i kundërshtarit të Putin-it, Alexei Navalny.
Eksperti Andrei Soldatov shpjegoi pse rusët “e duan” këtë teknikë, rendit së treti Corriere.
“Jo vetëm që shërben për të zhdukur objektivin, por agonia e tij ndodh nën sytë e anëtarëve të familjes: prandaj rrit ndikimin, vuajtjen, tmerrin”, shkruan më tej e përditshmja italiane që citon fjalët e Soldatov-it.
Ndonjëherë, për të krijuar një perde tymi, ata pretendojnë se viktima nuk ishte në të vërtetë e kontaminuar, por problemet e tij rrjedhin nga sëmundjet, ilaçet, drogat, ushqimi i helmuar.
Në fakt shpesh flasim për “dyshim për helmim”.
Ilaçi i Zotit
E katërta lidhet me të ashtuquajturin Mossad-i izraelit – sipas shkrimtarit Ronen Bergman.
Ai e përkufizon këtë modus operandi (mënyrë e veçantë) si “ilaçin e Zotit”.
Kjo e fundit është një zgjidhje e cila, në teori, nuk duhet të lërë asnjë gjurmë.
Kështu u vra një drejtues i lartë i Hamas-it i angazhuar në prokurimin e armëve në vitin 2010 në Dubai, vëren Corriere.
CIA – sipas shumë rindërtimeve – kishte menduar të vriste Fidel Kastron (ish-president i Kubës) duke përdorur një puro të helmuar me toksina botulinum-i.
Në fund, referon e përditshmja italiane, si me armët e zakonshme – janë efektet anësore.
Varet nga rrethanat dhe aftësitë e vrasësit: ekziston gjithmonë rreziku i kontaminimit të të pafajshmëve ose dëshmitarëve.