Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Nju Jorkut, pasi një helikopter turistik u rrëzua në lumin Hudson, duke i marrë jetën të gjashtë personave në bord. Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, pranë Pier 25, midis rrugëve West dhe Canal, një zonë e njohur turistike në Manhattan.
Sipas autoriteteve, në bordin e helikopterit të tipit Bell 206 ndodheshin piloti dhe një familje turistësh nga Spanja, dy të rritur dhe tre fëmijë. Fatkeqësisht, askush nuk mbijetoi nga aksidenti.
Zjarrfikësit njoftuan se morën një telefonatë urgjente rreth orës 15:17 me orën lokale, duke raportuar për një helikopter të rrëzuar në ujë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mjetin ajror të përmbysur dhe pjesërisht të zhytur, ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin trupat nga avioni.

Forca të shumta të emergjencës, përfshirë varka shpëtimi, zjarrfikës dhe automjete të tjera, ndodheshin në vendngjarje, ndërsa hetimet për shkaqet e rrëzimit janë ende në vazhdim.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë pas lajmit tragjik:
“Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur në lumin Hudson. Shumë e dhimbshme të dëgjosh që gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën. Zoti i bekoftë familjet dhe miqtë e viktimave. Sekretari i Transportit Sean Duffy po ndjek nga afër situatën”, tha ai.
Sipas kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, “helikopteri që u rrëzua në lumin Hudson u copëtua në ajër dhe u ul me kokë poshtë në lumin midis Manhattan dhe vijës bregdetare të Nju Xhersit”.
Zyrtarë të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) dhe Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse aksidenti ishte pasojë e një defekti teknik, gabimi njerëzor apo ndonjë faktori tjetër.
Helikopterët janë një pamje e zakonshme mbi qiellin e Manhattan-it, ku përdoren gjerësisht për qëllime turistike dhe transport të shpejtë.