Një nga imazhet ikonike të Londrës dhe Britanisë së Madhe, Garda e Mbretëreshës shfaqet kudo, nga fotot e turistëve, deri tek kartolinat, apo edhe vazot ku mbahen biskotat në shtëpi. Për dekada të tëra, ata kanë mahnitur vizitorë nga e gjithë bota, duke u shndërruar në një atraksion turistik, ndërsa pozojnë me armët e tyre, marshojnë apo bëjnë roje jashtë Pallatit Bakingam. Po ja çfarë duhet të dini mbi këtë njësi të veçantë ushtarake:
Garda e Mbretëreshës, është një njësi luftarake
Tradicionalisht detyra e saj është mbrojtja e Mbretëreshës Elizabet II dhe e rezidencës së saj në Londër, Pallatit Bakingam. Megjithëse ky rol është përmbushur tradicionalisht edhe nga Rojet e Kavalerisë dhe Rojet e Këmbësorisë, për këtë detyrë caktohen edhe regjimente të tjera. Kështu në vitin 2007, si Garda e Mbreterëshës shërbyen marinsat e Marinës Mbretërore britanike.
Garda e Mbretëreshës, mbron jo vetëm Pallatin Bakingam
Detyra e kësaj njësie, është të mbrojë të gjitha rezidencat e monarkes britanike. Kështu ndërsa gardistët ndodhen kryesisht në Pallatin Bakingham në Londrën Qendrore, ato gjithashtu mund të shihen edhe në kështjellën Uindsor, Pallatin e Shën Xhejmsit apo Kullën e Londrës.
Në kryeqytetin e Skocisë, Edinburg, Garda e Mbretëreshës mund të gjendet edhe në Pallatin e Holirodhauz dhe Kështjellën e Edinburgut. Por ndryshe nga rezidencat në Londër, ku ata shërbejnë gjatë gjithë vitit, në vendet e tjera ata bëjnë vetëm roje vetëm atëherë kur aty shkon Madhëria e Saj.
Gardistët nuk janë gjithmonë britanikë
Edhe pse Mbretëresha Elizabet II është kreu i shtetit në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ka të njëjtin rol kushtetues në 15 vende të tjera – të ashtuquajtura si anëtare të Komonuelthit – përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re. Dhe ushtarët në këto vende betohen për besnikëri jo ndaj qeverisë së radhës por ndaj monarkes britanike.
Për pasojë, këto trupa mund të shërbejnë edhe në Gardën e Mbretëreshës. Tek e fundit, ajo është gjithashtu edhe mbretëresha e tyre. Disa regjimente “të huaja” kanë shërbyer vitet e fundit si Garda e Mbretëreshës. Këtu përmendim Regjimentin Mbretëror Kanadez (nga tetori në nëntorin e 2018-ës), Regjimenti Mbretëror Malajzian (prill 2008) dhe Regjimenti i Xhamajkës (korrik 2007).
Ndërkohë, është e zakonshme që qytetarët e Komonuelthit të shërbejnë në ushtrinë britanike sipas të njëjtit parim, pasi pagat janë shpesh më të mira, sesa ato të ushtrive të tyre, sidomos veçanërisht në vende si Karaibet. Që nga viti 2018, rreth 4500 qytetarë të Komonuelthit shërbenin në radhët e Forcave të Armatosura Britanike, shumica e tyre në ushtri.
Gardistët ndëshkohen në rast se buzëqeshin
Është mëse e zakonshme që çdokush të bëjë një foto pranë një gardisti mbretëror, që ruan një pamje tepër serioze. Në fakt, prej tyre pritet një disiplinë absolute në punë. Nëse kapen duke qeshur ose bërë shaka nga eprori i tyre, ata gjobiten me rreth 200 paund, shumë që mbahet nga paga e tyre mujore.
Kur janë në shërbim, nuk mund të shkëputen as për një moment në tualet
Ndërsa disiplina e rreptë mund t’i pengojë të braktisin vendin ku bëjnë shërbimin, disiplina e fshikëzës së urinës e Gardës së Mbretëreshës, mund të lërë shumë për të dëshiruar. Një ish-gardist kujton:”Gjatë një sfilate para një turme të madhe, një nga rojet duhej të shkonte në banjo, pasi nuk mund ta mbante dot më. Ai ndodhej në rreshtin e parë, dhe nga sikleti urinoi aty, duke krijuar një pellg të madh. Disa njerëz nga turma e vunë re, dhe nisën të qeshnin.
Ata mund të reagojnë në momente të caktuara
Ndonëse në përgjithësi preferojnë të injorojnë ata që u afrohen, gardistëve u lejohet të reagojnë nëse kjo është e nevojshme. Nëse njerëzit i pengojnë në detyrat e tyre, gardistit i lejohet të bërtasë më zë të lartë komanda të tilla si “Hapini rrugën Gardës së Mbretëreshës!”, ose edhe të shmangë njerëzit nga rruga, nëse ata nuk e kanë mendjen.
Nëse dikush perceptohet si agresiv apo kërcënues, ata kanë të drejtë t’u drejtojnë pushkët e tyre në shenjë paralajmëruese. Armët mund të mos jenë të mbushura, por bajonetat e tyre janë të mprehta, ndaj vizitorët kuriozë duhet të bëjnë shumë kujdes, dhe të mos provokojnë nervin e një ushtaraku britanik shumë të stërvitur.
Kokoret leshatore, e kanë një qëllim praktik
Jo e gjithë Garda e Mbretëreshës, mban në kokë kokoren e famshme me qimet e ariut. Ato janë janë pjesë e uniformave ceremoniale të Regjimentive të Gardës. Regjimentet e tjera që shërbejnë si Garda e Mbretëreshës, mund të kenë uniforma të ndryshme ceremoniale.
Kokoret 45 cm të gjata, mund të duken si jopraktike. Por ato janë të dizajnuara për të frikësuar të tjerët, duke e bërë ushtarin të duket më i gjatë nga sa është. Të veshura tradicionalisht nga granatjerët francezë, kokoret u adoptuan nga gardistët britanike pas fitores së tyre mbi francezët në vitin 1815, dhe shumë shpejt u përhapën në Regjimentet e tjera të Gardës.
Të prodhuara tradicionalisht me qimet e ariut të zi kanadez, këto lloj kapelesh rezistojnë për dekada, ndaj zëvendësimi i tyre kryhet shumë rrallë. Për shkak të shqetësimeve etike, helmetat e reja po bëhen me qime artificiale. Por pesha e kokorës mund të jetë e rrezikshme. Ato janë aq të rënda, saqë mund të thyejnë lehtësisht qafën e gardistit nëse ai goditet. Prandaj në situata luftarake, ushtarët udhëzohen që ta ulin kokoren nën hundë. / VintageNews