Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife të re prej 35% për importet nga Kanadaja, duke hyrë në fuqi nga data 1 gusht. Përveç Kanadasë, Trump paralajmëroi edhe tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% ndaj shumicës së partnerëve të tjerë tregtarë që ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje të reja me SHBA-në.
Në një letër të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump i është drejtuar kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, duke e akuzuar për mungesë bashkëpunimi dhe masa të njëanshme tregtare. “Pas vendosjes së tarifave nga Kanadaja, që nuk ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, ne do të aplikojmë një tarifë prej 35% për produktet kanadeze që dërgohen në SHBA, pa marrë parasysh tarifat sektoriale,” shkruan ai.
Trump paralajmëron se këto tarifa mund të ndryshojnë në varësi të sjelljes së Kanadasë, duke e lënë të hapur mundësinë për masa edhe më të ashpra nëse vendosen kundërmasa.
Në një intervistë për NBC News, ai konfirmoi se “të gjitha shtetet e tjera do të paguajnë, qoftë 20% ose 15%. Do ta rregullojmë tani,” duke sinjalizuar një qasje të gjerë proteksioniste për të mbrojtur prodhimin vendas.
Tarifat e reja do t’i shtohen atyre ekzistuese prej 25% mbi sektorë si çeliku, alumini dhe automjetet – industri ku Kanadaja ka një eksport të konsiderueshëm drejt SHBA-së, që mbetet partneri më i madh tregtar i saj.
Ky vendim përshkallëzon tensionet tregtare mes SHBA-së dhe aleatëve të saj më të afërt, në një moment ku negociatat për marrëveshje të reja janë ende në zhvillim.