Donald Trump të premten kërcënoi protestuesit në qytetin Portland të shtetit Oregon, duke thënë se forcat federale të cilat tashmë i ka dërguar atje, janë të gatshme të përdorin “forcë të rreptë kundërshtuese”.
“Nëse protestat nuk shpërndahen, do të bëjmë diçka shumë të fuqishme”, tha Trumpi, një ditë pasi që i paralajmëroi protestuesit të cilët i quan “terroristë” se do t’iu dërgojë ushtarët e Gardës Kombëtare, shkruan The Independent.
“Nuk kemi zgjidhje”, tha ai, sepse “ekstremistët majtistë kanë përhapur tollovi nëpër rrugë të shumë qyteteve”.
Presidenti gjithashtu tha se protestuesit janë “profesionalë” të cilët me qëllim po ndezin trazira, dhe po hedhin “kanaqe të supës dhe objekte tjera drejtë policisë”.
Presidenti foli disa orë pasi shefi i Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha se marrëveshja për të hequr policinë federale nga Portland, e cila u lajmërua të enjten, do të zbatohet vetëm nëse administrata e Trumpit e konsideron si efektiv ndonjë plan për të stabilizuar qytetin, transmeton KOHA.
“Zyrtarët për zbatimin e ligjit që janë atje gjatë 60 ditëve të fundit do të mbesin në Portland deri sa nuk të sigurohemi se plani i Guvernatores dhe policisë shtetërore të Oregonit do të jetë efektiv natë pas nate”, tha Wolf për Fox News.
Komentet e tija erdhën një ditë pasi që administrata e Trumpit dhe Guvernatorja e shtetit Oregon Demokratja Kate Brown thanë se ishin pajtuar për një plan për të tërhequr forcat federale të zbatimit të ligjit nga qyteti Portland.
Por komentet e Donald Trump të enjten treguan një qasje tjetër të administratës së tij.
“Jemi duke u marrë me Guvernatoren dhe Majorin, dhe mendojmë se nuk janë duke dikur se çka po bëjnë sepse kjo po zgjatë qe 60 ditë”, shkroi ai.