Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë afër një plani kombëtar për të ndaluar përhapjen e Covid-19 i cili ka vrarë më shumë se 150,000 persona në këtë shtet dhe i cili po del “furishëm jashtë kontrollit”.
Dr Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve ngjitëse në SHBA, dhe anëtarë tjerë të grupit punues të Shtëpisë së Bardhë për menaxhimin e pandemisë sot dëshmuan para një Komitetit të Shtëpisë së Përfaqësuesve në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga ana e administratës së Presidentit Trump, shkruan CNN.
Ky ekip i ekspertëve adresoi para Komitetit brengat rreth testimit të pamjaftueshëm, mundësinë e një vaksine kundër Covid-19, dhe rreziqet e hapjes së shkollave, transmeton KOHA.
Kryetari këtij komitetit James Clyburn e hapi këtë mbledhje duke thënë se administrata e Trumpit “ende nuk ka zhvilluar dhe zbatuar një strategji kombëtare për të mbrojtur popullin amerikan” pas më shumë se gjashtë muajve të shpërthimit të pandemisë. Pas tre orëve të dëshmive nga ekspertët doli se administrata nuk është duke punuar për së afërmi me ekspertët dhe rekomandimet e tyre.
Eksperti kryesor i shëndetit publik Anthony Fauci e ka kundërshtuar Presidentin Donald Trump për aspektet fondamentale të krizës këtë muaj, nga qortimi i promovimit të rrejshëm të ilaçit hidroksiklorinë për Covid-19 e deri te insistimit se çdo kush duhet të mbajë maskë dhe se virusi nuk është nën kontroll dhe nuk do të zhduket ashtu si po thotë presidenti.